LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Euro, e ardhmja e monedhës

Berisha: Euro, e ardhmja e monedhës

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka përshëndetur ecurinë dhe qëndrueshmërinë e lekut gjatë krizës financiare të vitit të shkuar, që lëkundi euron dhe dollarin, gjatë ceremonisë së çeljes së ekspozitës për kartëmonedhat shqiptare me rastin e 85-vjetorit të emetimit të prerjes së parë të shtetit modern shqiptar.

Berisha theksoi se e ardhmja e monedhës së vendit është ajo e bashkimit me euron, në kuadër të integrimit të vendit në BE.

“Në periudhën e cunamit, leku, i përballur me dollarin dhe euron, qëndroi para tyre dhe presioneve të paimagjinueshme të luhatjes së kursit me dinjitet të madh. Leku u provua lekë i vërtetë. Këto vite në dallim nga monedhat e tjera të rajonit sigurisht që u luhatën, por shumë herë më pak se gjithë simotrat e saj dhe qëndroi si një fakt shumë i rëndësishëm i stabilitetit të ekonomisë së vendit”, është shprehur Berisha.

“Ditën që do të hyjë në BE, monedha jonë do të hyjë si një zonjë sovrane që ka vendosur të bashkohet në interesin më të mirë të shtetit, pasaportë e të cilit është”, theksoi kryeministri. /Tch/Telegrafi/