LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Kosova do t’i përmbush obligimet në fushën e energjisë

Beqaj: Kosova do t’i përmbush obligimet në fushën e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj deklaroi se Kosova do t’i përmbush obligimet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Në konferencën “Dita e Institucioneve të Kosovës në Komunitetin e Energjisë”, e cila është organizuar të enjten në Vjenë nga ana e MZHE-së dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (TKE).

Ministri Besim Beqaj, tha se Kosova është e përkushtuar maksimalisht që të miratojë kornizën ligjore në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së, i cili është parakusht esencial me qëllim të realizimit të obligimeve të cilat dalin nga Traktati.

Ai ka informuar Sekretariatin lidhur me rrjedhën e implementimit të projekteve me prioritet të cilat ndërlidhen me sektorin e energjisë, me një theks të veçantë në arritjen e objektivave në fushën e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtërishme.

Ministri Beqaj gjithashtu ka potencuar që Kosova mbetet e përkushtuar të integrohet plotësisht në tregun rajonal të energjisë, duke theksuar edhe nevojën e përkushtimit edhe të palëve të tjera të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes në fjalë, duke vënë në pah përcaktimin e Kosovës që të fuqizojë bashkëpunimin dhe të këmbej eksperiencën me vendet e tjera në kuadër të Traktatit.


Përveç MZHE-se, pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, ishin edhe përfaqësuesit e KOSTT, ZRRE, KEK, MTI, MF, MPMS dhe AKK. /Telegrafi/