LAJMI I FUNDIT:

Bechtel & Enka, në listën e kontrabandistëve

Bechtel & Enka, në listën e kontrabandistëve

Emri i konzorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka” , i cili e ka fituar tenderin më të madh që nga paslufta të shpallur nga Qeveria e Kosovës, figuron si kontrabandist në dy raste në listën e Doganave për vitin 2010.

Ky konzorcium, i cili pritet t’i marrë rreth 900 milionë euro për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, sipas listës kundërvajtëse të Doganave të Kosovës, më 8 korrik 2010 është zënë duke kontrabanduar pajisje për laborator të betonit në vlerë prej 15 mijë e 819 euro, për të cilën kundërvajtje nga Dogana është gjobitur me vlerë financiare prej 5 mijë euro.

Vetëm dy javë më pas, përkatësisht më 26 korrik 2010, “Bechtel& Enka” figuron se është zënë duke kontrabanduar edhe goma pneumatike në vlerë prej 5220 euro, për të cilën kundërvajtje është gjobitur edhe me 5000 euro tjera.

“Bechtel Enka” është regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës(ARBK) më 25 maj 2010, aktiviteti kryesor i së cilës është ndërtimi i autostradave, rrugëve, aeroporteve dhe objekteve sportive.


Personat e autorizuar të “Bechtel & Enka ” në Prishtinë janë: Darren Philip Mort, Ibrahim Karagac dhe Feime Avdyli.

Për zëdhënësen e këtij konzorciumi, Ela Ruçi, këto janë vetëm gabime administrative, ndonëse bëhet fjalë për dy raste të ndara, më 8 dhe 26 korrik 2010. /Zëri/Telegrafi/