LAJMI I FUNDIT:

Bechtel & Enka në Gjykatë

Bechtel & Enka në Gjykatë

Përfaqësuesi i konzorciumit Bechtel &Enka për Kosovë, Darren Mort, është vënë në qendër të dyshimeve për bashkëpunim me Tomislav Hetlerin, njeriun që ka mashtruar kompani vendore për përfshirje në punimet e autostradës Vërmicë-Merdar.

Nënshkrimi i tij, i cili figuron në njërën prej kontratave që në emër të “Bechtel Enkas” i janë ofruar kompanive vendëse, do të analizohet nga forenzika deri në shtator, bën të ditur Koha Ditore. Do të konstatohet nëse këtë e kishte bërë vetë ai apo Hetler e kishte falsifikuar, kanë bërë të ditur burime në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë.

“Ka disa prova të reja që implikojnë Mortin në këtë kontest. Gjithsesi do të bëhet ekspertiza e nënshkrimit që është vënë në emër të tij. Janë prezantuar edhe prova me të cilat dëshmohet se ka pasur edhe një komunikim elektronik midis tyre. Mund të ketë pasur marrëveshje që Hetler të thoshte në gjyq se kishte falsifikuar kontratën, sa për të evituar kompensimin që duhej bërë kompanive vendëse”, ka thënë ky burim. “Nëse është kështu, Bechtel & Enka do të obligohet të kompensojë kompanitë që kanë qenë viktimë”.

Ela Ruçi, zëdhënëse e konsorciumit Bechtel & Enka ka pranuar se Hetler kishte krijuar miqësi në kompani. Ka thënë ta ketë keqpërdorur këtë. “Tomislav Hetler abuzoi dhe shfrytëzoi miqësinë e krijuar në këto vite me stafin dhe kolegët e Bechtel & Enkas dhe komunikimin miqësor të këtyre viteve për të mashtruar dhe përfituar ilegalisht nga kompania kosovare, duke arritur deri në falsifikimin e kontratës, por dhe firmës së Darren Mort”, ka thënë Ruçi. “Kjo çështje është në gjykatë, përsëri pasi ‘Terrasystem’ pretendon dëmshpërblim për një kontratë, e cila për fat të keq kurrë s’ka qenë e lidhur me Bechtel & Enka”. /Telegrafi/