LAJMI I FUNDIT:

BE ndërton ndërtesë të re për Doganat Kosovës

BE ndërton ndërtesë të re për Doganat Kosovës

Bashkimi Evropian (BE) ka përfunduar ndërtimin e një ndërtese të re të Policisë Kufitare dhe të Doganave në vendkalimin kufitar me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në Glloboçicë, në vlerë prej gjysëm milion Euro.

Prishtinë, 4 dhjetor – Ndërtimi i ndërtesës së Policisë Kufitare dhe të Doganave ishte pjesë e projektit €1 milionësh, i cili po ashtu përfshin ndërtimin e ndërtesës së Policisë Kufitare dhe të Doganave hekurudhore në Han të Elezit si dhe të një ure në vendkalimin kufitar në Bllace.

Aktivitetet e doganave në Glloboçicë më parë janë kryer në konteinerë. Ndërtesa moderne e ndërtuar në bazë të standardeve evropiane do të bëjë të mundur që aktivitetet e Doganave dhe Policisë Kufitare të kryhen në mënyrë të sigurt dhe efektive.

Ky projekt është vazhdimësi e përkrahjes së BE-së për Policinë e Kosovës dhe Doganat. Vitin e kaluar u realizua edhe një projekt tjetër i ndërtimit të dy ndërtesave të stacioneve të policisë kufitare dhe të doganave në pikat kufitare me Shqipërinë, në Qafë të Morinës dhe Qafë të Prushit në komunën e Gjakovës, si dhe rindërtimi i ndërtesës së vendkalimit kufitar në Vërmicë. Po ashtu edhe vlera e këtij projekti ishte rreth €1 milion.


Përmirësimi i infrastrukturës në vendkalimet kufitare është njëra prej tre komponenteve të përgatitur në bazë të një projekti të BE-së për të përkrahur bartjen e përgjegjësive nga policia ndërkombëtare tek ajo vendëse, për të zhvilluar manaxhimin e kufijve në përputhje me standardet e Shengenit (Schengen) dhe për të rishikuar legjislacionin që zbatohet tani.