LAJMI I FUNDIT:

BE-ja ndihmon reformimin e sektorit të energjisë

BE-ja ndihmon reformimin e sektorit të energjisë

Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës të enjten prezantuan zhvillimet në reformat e sektorit të energjisë dhe disa vendime të cilat do t’i japin formë këtij sektori në të ardhmen. Asistenca e një projekt dy vjeçar i financuar nga BE-ja për Kosovën ka qenë e përqendruar në reforma të cilat promovojnë efiçiencën e energjisë dhe shfrytëzimin e resurseve të ripërtërishme të energjisë.

Kosova duke qenë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë duhet të harmonizojë legjislacionin e sektorit të energjisë me ligjet ekzistuese të BE-së. Projekti i BE-së ka ndihmuar Ministrinë e Energjisë dhe Minierave me qëllim që të arrihet harmonizimi me kërkesat e Traktatit. Kompetencat e këtij sektori tani kanë kaluar në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik.

Një prej sfidave kryesore të Kosovës është ulja e konsumit të energjisë për 9 për qind deri në vitin 2018. Është përgatitur Plani i Veprimit Kombëtar për Efiçiencë të Energjisë i cili do të udhëheq punën në drejtim të rritjes së kursimit. Ky plan ndër të tjerash parasheh veprime të menjëhershme në sektorin e ndërtimtarisë, për përmirësimin e projektimeve dhe performancës, pasi që ndërtesat përbëjnë 40% të kërkesës totale për energji.

Vendime tjera të rëndësishme janë bërë në kuadër të kornizës të Strategjisë Qeveritare për Energji për periudhën 2009-2018: Strategjia Kombëtare për Ngrohje, ku sugjerohet shfrytëzimi i resurseve energjetike me më shumë respekt ndaj mjedisit dhe në harmoni me standardet e BE-së; prodhimi dhe mbledhja e statistikave kyçe për energji që do të rezultojnë me vendimmarrje më të informuar dhe më efikase në sektor; zyrat në nivel komunal do të bëjnë përgatitjet për plane afatshkurtra dhe afatmesme të veprimit për energji. /Telegrafi/