LAJMI I FUNDIT:

BE-ja miraton marrëveshjen për transmetimin e të dhënave bankare në SHBA

BE-ja miraton marrëveshjen për transmetimin e të dhënave bankare në SHBA

Ministrat e Brendshëm të BE-së miratuan marrëveshjen e diskutueshme për transmetimin e të dhënave bankare evropiane në SHBA. Kjo mësohet nga qarqet diplomatike në Bruksel. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, ashtu si dhe kolegët e tij nga Austria, Hungaria dhe Greqia abstenuan.

Gjermania dhe vende të tjera të BE-së kishin shprehur fillimisht rezerva të mëdha kushtetuese si dhe ligjore në lidhje me mbrojtjen e sekretit të të dhënave. Kjo marrëveshje i mundëson SHBA-së akcesin në të dhënat e transfertave bankare të qytetarëve evropianë, kodet e të cilëve i administron institucioni financiar belg SWIFT.

Në këtë mënyrë hetuesit për vepra terroriste nga SHBA-ja do të vazhdojnë të kenë mundësi të gjurmojnë transaksionet e dyshimta financiare. Marrëveshja tani për tani ka një kufi kohor prej nëntë muajsh, SHBA-ja nuk lejohet që t’ua kalojë të dhënat evropiane shteteve të treta.