LAJMI I FUNDIT:

BE i premton ndihmë Irlandës

BE i premton ndihmë Irlandës

Bashkimi Evropian po përgatitet për t'i ardhur në ndihmë Irlandës, në gjendje të vështirë financiare dhe sistemit të saj bankar me shumë probleme. Gjatë një takimi në Bruksel, ministrat e financave të shteteve të euros, nuk morën ndonjë vendim, por i premtuan Irlandës solidaritetin e tyre.

Nëse do të jetë e nevojshme "do të veprohet me vendosmëri dhe në mënyrë të koordinuar, për të siguruar sistemin financiar të eurozonës", thuhet në deklaratën e përbashkët. Irlanda duhet t’i vijë në ndihmë sistemit të saj bankar tepër të gjerë dhe të tronditur nga kriza, dhe për këtë arsye është zhytur thellë në borxhe. Deri tani qeveria në Dublin nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihma financiare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi, se ajo nuk sheh asnjë rrezik për eurozonën. Në të njëjtën kohë Merkel u bëri thirrje vendeve më të dobëta, të forcojnë aftësinë e tyre konkurruese, raporton Dw.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, kërkoi një bashkëpunim më të mirë të shteteve të euros: "Viti i parë i marrëveshjes së Lisbonës është shënjuar qartë nga kriza në eurozonë. Nuk ishte një periudhë vizionesh por një periudhë mbijetese. Kjo nuk ka marrë fund ende e megjithatë 2010 nuk është një vit krize. Përkundrazi, ne kemi dëshmuar se dimë ta menaxhojmë krizën, dhe po dalim prej saj më të fortë". /Telegrafi/