LAJMI I FUNDIT:

BE i kursen Greqisë 6 miliardë euro

BE i kursen Greqisë 6 miliardë euro

Autoritetet dhe investitorët grekë mirëpritën vendimin e Bashkimit Europian, i cili pranoi të rinegociojë kushtet e kredisë së dhënë, duke i kursyer Athinës të paktën 6 miliardë euro.

Lajmi erdhi pas një fundjave veçanërisht të keqe për bursat greke, të cilat pësuan një rënie prej 5 për qind në fundjavë, si rrjedhojë e efektit domino të krijuar nga tërmeti japonez dhe kriza në vendet arabe.

”Kemi fituar një betejë të madhe. Sot ne fituam 6 miliardë euro dhe kjo sepse përpjekjet tona në dhjetë muajt e fundit janë njohur nga BE”, deklaroi kryeministri Jorgos Papandreu, duke folur nga Brukseli.

Norma e interesit të kredisë helene u ul nga me 1 për qind, në 4.2 për qind, ndërsa periudha e pagimit u zgjat me 3 vjet, pjesërisht edhe si shpërblim për përmirësimin e gjendje ekonomike në buxhetin grek.


Në maj 2010, Greqia pranoi një borxh masiv prej 110 miliardë eurosh nga BE, pasi deficiti i lartë buxhetor i kishte lënë arkat e shtetit të boshatisura.

Masat drastike si dhe shkurtimet e mëdha nga puna kanë ngjallur protesta të shumta në Greqi, por duket se më në fund po japin rezultat.

Zhvillimi ekonomik pësoi një rënie rekord prej 4.5 për qind më 2010, ndërsa pritjet që regresi të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. /Telegrafi/