LAJMI I FUNDIT:

BB intensifikon mbështetjen për reforma në Shqipëri

BB intensifikon mbështetjen për reforma në Shqipëri

Gjatë një vizite në Tiranë, zoti Piero Cipollone, drejtor i ri Ekzekutiv që përfaqëson Shqipërinë në Bordin e Bankës Botërore dhe zonja Jane Armitage, drejtore e Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, diskutuan rolin e Bankës në mbështetje të reformave në Shqipëri.

Zoti Cipollone dhe zonja Armitage u takuan me kryeministrin Sali Berisha, ministrin Naço dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Takimi me kryeministrin u përqendrua në huanë e re të Politikave Programatike Zhvillimore mbi mirëqeverisjen dhe konkurrencën, e cila po përgatitet në mbështetje të një programi ambicioz reformash për tri vitet e ardhshme. Ky program fokusohet në disa drejtime: e drejta e pronës, menaxhimi i ujërave, mjedisi i biznesit dhe arsimi i lartë.

Në takimin me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë u diskutua për rëndësinë e të kuptuarit të potencialit të Shqipërisë për energji të rinovueshme, përfundimin e reformave në sektorin energjetik si dhe rritjen e disiplinës në pagesën e energjisë.

Zoti Piero Cipollone mori pjesë në inaugurimin e pastrimit të zonës së ndotur të Porto Romanos, financuar nga Qeveria Hollandeze dhe administruar nga Banka Botërore. Gjithashtu ai vizitoi qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” për fëmijët me aftësi të kufizuara që ndodhet në Kombinat, Tiranë, mbështetur nga një projekt i financuar nga Banka si dhe një shkollë në Shkozet, Durrës të rindërtuar nga Projekti “Barazi dhe cilësi në arsim”, bashkëfinancuar nga Banka Botërore.


Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në 1991. Financimet e Bankës Botërore që prej anëtarësimit shkojnë në një shumë totale prej 1.4 miliard dollarësh për 69 projekte. Aktualisht portofoli i Bankës përbëhet nga 14 projekte me një shumë prej 263 milionë dollarësh, kredi nga IDA dhe IBRD; 180 milionë dollarë bashkëfinancime në kredi dhe grante dhe 35 milionë grante të ekzekutuara nga përfituesi. Të gjitha këto financime përbëjnë një paketë të konsoliduar financiare prej 480 milionë dollarësh./Telegrafi/