LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunimi në mesë Kosovës e Turqisë duhet të rritet

Bashkëpunimi në mesë Kosovës e Turqisë duhet të rritet

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, priti të premten kryetarin e Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Ahmet Mithat Milli.

Në këtë takim u diskutua për rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Turqisë, me ç’rast Ministrja u shpreh se shoqëria kosovare ofron shumë mundësi për bashkëpunim ekonomik në mes të dy shteteve, për shkak edhe të ngjashmërive kulturore që karakterizojnë dy popujt tanë.

Gjatë bisedës u përmend synimi i Kosovës për të pasur një sukses të ngjashëm ekonomik me atë të Turqisë dhe për të shfrytëzuar praktikat më të mira të bizneseve turke në zhvillimin e eksporteve të Kosovës.

Ahmet Mithat Milli, shprehu gatishmërinë që të organizojë konferenca me tematika të ndryshme në mënyrë që të bëjë të mundur vizitat e bizneseve kosovare te ato turke dhe shkëmbimin e eksperiencave dypalëshe.


Ministrja Mimoza Kusari-Lila e ftoi Milli që të jetë pjesë e grupit këshillimor për promovimin e investimeve të huaja, që do të jetë pjesë e Agjencionit për Promovim të Investimeve të Kosovës.

Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke i dorëzoi Ministres Kusari-Lila ftesën për të qenë pjesë e konferencës me temë “Perspektivat për biznes dhe investime në Kosovë”, e cila do të mbahet në Stamboll me 28 prill, e i cili është bashkëpunim i Odës Tregtare Kosovaro-Turke (KTTO) me Konfederatën e Afaristëve dhe Industrialistëve të Turqisë ( TUSKON). /Telegrafi/