LAJMI I FUNDIT:

Bankat premtojnë uljen e kamatave për 2 %

Bankat premtojnë uljen e kamatave për 2 %

“ProCredit Bank” ka paralajmëruar se nga fillimi i majit do t’i zbresë normat e kredive deri në 2 për qind. Edhe “Raiffeisen Bank” beson se me zhvillimin e Kosovës do të zbresin normat e kredive

Zëvendësdrejtori gjeneral i “ProCredit Bank”-ës, Florin Lila, ka bërë me dije se, me qëllim të mbështetjes së mëtejme për bizneset vendëse, kjo bankë tashmë ka bërë lëvizje në lehtësimin e kushteve për kredi për biznese të vogla dhe agrobiznese, ndërsa nga fillimi i muajit maj do t’i lehtësojë kushtet për kredi edhe për biznese të mëdha, duke zbritur kamatat vjetore mesatarisht nga 1 deri në 2 për qind, varësisht nga shuma, kohëzgjatja apo lloji i kredisë së biznesit.

“Nëpërmjet kredive për biznese, ‘ProCredit Bank’ mëton t’i mbështesë dhe t’i stimulojë bizneset në zgjerimin e tyre, rritjen e profitabilitetit apo fillimin e prodhimit. ‘ProCredit Bank’ do të vazhdojë t’i lehtësojë kushtet për kreditë e dedikuara për sektorin e biznesit, i cili konsiderohet si një ndër sektorët i cili gjeneron numrin më të madh të vendeve të punës”, tha Lila për Epokën e re.

Ai ka treguar s ejani duke punuar edhe për individë që ta bëjmë një ulje të normave të interesit.


Edhe Iliriana Tahiraj, zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në Raiffeisen Bankë, ka theksuar se, nëse krahasohen normat e interesit për kredi të cilat kjo bankë i ka ofruar në vitet e para të punës së saj në Kosovë, mund të vlerësohet se tani banka ofron kredi më të ulëta të interesit.

“Përveç kësaj, gjatë fushatave banka ofron kredi me norma shumë të favorshme se normat standarde. Aktualisht klientët mund të përfitojnë nga dy oferta aktuale për kredi biznesi dhe individë”, theksoi Tahiraj. /Telegrafi/