LAJMI I FUNDIT:

Autostrada Vërmicë – Merdare vitin e ardhshëm

Autostrada Vërmicë – Merdare vitin e ardhshëm

Ndërtimi i autostradës së parë të Kosovës, Vërmicë – Prishtinë, pritet të fillojë gjatë vitit të ardhshëm. Zyrtarët e ministrisë së transportit konfirmojnë se shtatë kompanitë e parakualifikuara, i kanë dorëzuar dje ofertat e tyre, por ende nuk saktësojnë kohën se kur do të zgjidhet kompania fituese. Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Financave njoftojnë se ka nisur procesi i shpronësimit të tokave përgjatë autostradës, fillimisht në segmentin Vërmicë Prizren.

Projekti më madhor i Kosovës, autostrada Vërmicë Prishtinë nuk do të fillojë sivjet. Kjo tashmë dihet me saktësi, duke marrë parasysh ecurinë e deritashme të këtij procesi. Z

ëvendësministri i Transportit dhe Postë-telekomunikacionit, Adem Grabovci tha për Radio Kosovën se shtatë kompanitë e parakualifikuara i kanë dorëzuar dje ofertat e tyre, kurse komiteti ndërministror, së bashku me ekspertët e kompanisë konsultuese “Eversheds” do të bëjnë shqyrtimin e tyre dhe më pas përzgjedhjen e kompanisë që do të fillojë realizimin e projektit.

Kompanitë që kanë ofertuar për ndërtimin e kësaj rruge janë: kompania "Alpine" nga Austria, konzorciumi amerikano-turk "Bechtel Enka", që e ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Morinë, pastaj kompania "Makyol" nga Turqia, "Pizzaroti" nga Italia, "Porr" dhe "Strabag" nga Austria dhe "Terna" nga Greqia. Megjithëse më herët është thënë se përzgjedhja e kompanisë fituese do të bëhet 30 ditë pas dorëzimit të ofertave, Grabovci nuk është në gjendje ta konfirmojë këtë.


Nga ana tjetër, kanë filluar procedurat e shpronësimit për rreth 600 pronarë në segmentin e parë Vërmicë Prizren ku pritet të ndërtohet autostrada. Zëdhënësi MEF-it, Muharrem Shahini, thotë se kanë përfunduar edhe dëgjimet publike me pronarë të 13 zonave kadastrale, dhe tani është duke u përfillur afati për dorëzimin e ankesave.

Ndërkohë, kostoja e autostradës nuk dihet ende, dhe sipas zyrtarëve të ministrisë së transportit kjo është çështje e ofertës së kompanive. Por sipas një vlerësimi të bërë në vitin 2006 kostoja e projektit ishte paraparë të jetë rreth 700 deri në 800 milionë euro. Ndërkaq kompania konsultuese i ka rekomanduar qeverisë që rruga pas ndërtimit të jetë me pagesë.

Ndryshe, autostrada Morin – Prishtinë – Merdar, ka një gjatësi prej 117 kilometrash. Sipas të dhënave të ministrisë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë. /rtk/