[tag_tagmanagerringier]a Autostrada, stimulim për bizneset e huaja dhe vendore - Telegrafi - Telegrafi Autostrada, stimulim për bizneset e huaja dhe vendore - Telegrafi
LAJMI I FUNDIT:

Autostrada, stimulim për bizneset e huaja dhe vendore

Autostrada, stimulim për bizneset e huaja dhe vendore

Ekspertët e ekonomisë e kanë vlerësuar lart vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i filluar negociatat për nënshkrimin e kontratës për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë nga kompania amerikano-turke “Bechtel & Enka”. Ndërtimi i autostradës, sipas tyre, do të ketë ndikime në dy aspekte: në atë politik dhe ekonomik. Po ashtu, sipas tyre, Kosova do të bëhet si urë lidhëse mes shteteve të tjera. Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për “Epokën e re” se Kosova po hyn në një fazë të re të proceseve zhvillimore dhe rëndësia e ndërtimit të një autostrade të tillë mund të shihet në dy aspekte: në atë ekonomik dhe politik.

“Nga këndvështrimi ekonomik do ta rrisë atraktivitetin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë, pastaj do ta minimizojë koston e transportit si dhe Kosova do t’i joshë shumë vende të tjera të Evropës Juglindore.

Nga këndvështrimi politik do të dërgohet një mesazh se vërtet Kosova është stabile dhe se do të jetë urë lidhëse mes shteteve”, ka theksuar Gërxhaliu, duke shtuar se për kosto dhe afatet e kryerjes së punimeve është shumë herët të flitet.

Ndërkaq, dr. Muhamet Sadiku, prorektor i Universitetit AAB-Riinvest, ka theksuar se me projektin e autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdare Kosova do të afrohet në raport me tregun e BE-së si dhe do të ndikojë në përmirësimin e pozitës tregtare të prodhuesve vendorë, në atë mënyrë që tregu i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të frymojnë si një treg i përbashkët.


“Tani në radhë janë negociatat në të cilat do të definohen shumë aspekte të këtij projekti. Kjo kërkon që në anën kosovare të mobilizohen resurset nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Nuk mjafton vetëm ekspertiza e qeverisë, por kërkohet edhe ekspertiza e jashtme”, ka thënë për “Epokën e re”, eksperti i ekonomisë, Sadiku.

Edhe prof. dr. Nagip Skënderi, profesor në UP, ka thënë se në aspektin ekonomik ndërtimi i autostradës do t’i nxisë investimet e jashtme.

“Përfitimet e shtetit të Kosovës me ndërtimin e kësaj autostrade janë shumë të mëdha. Pikë së pari është një formë e ‘ftesës publike’ dhe shumë nxitëse për investitorët që ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, por edhe në Shqipëri”, ka deklaruar ai.

Skënderi ka thënë se me ndërtimin e autostradës, bizneseve do t’u mundësohet qasje e lehtë me tregun ndërkombëtar nëpërmjet korridoreve 6 dhe 8.

“Po ashtu, përveçqë do ta stimulonte rritjen e eksporteve dhe importeve, do ta lidhte Kosovën në një kohë shumë të shkurtër me tregun e gjithëmbarshëm të Evropës Juglindore dhe më gjerë, pastaj do t’i stimulonte edhe bizneset vendore ekzistuese dhe ato që krijohen për të investuar edhe më tepër kapitalin e tyre në vend”, ka thënë Skënderi për gazetën (EPOKA RE).