LAJMI I FUNDIT:

Asnjë gjobë për shkelësit e Ligjit të Punës

Asnjë gjobë për shkelësit e Ligjit të Punës

Katër muajt e parë të këtij viti kanë kaluar pa asnjë gjobë për punëdhënësit, për moszbatimin e Ligjit të punës. E, ankesa të shumta për shkeljen e të drejtave të tyre, punëtorët kanë filluar t’i adresojnë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Një gjë të tillë, ata nuk e kishin bërë deri më tani.

Ministria e Punës e kishte shpallur prillin muaj të amnistisë për Ligjin e punës. Gjatë muajit maj, Inspektorati do të shtojë aktivitetet nëpër të gjitha komunat për të monitoruar zbatimin e këtij ligji. Nuk do të mungojnë as gjobat, pasi që tani të gjithë punëdhënësit janë informuar për së afërmi me këtë ligj, shkruan Express.

E, hulumtimet e sindikatave në Kosovë kanë alarmuar për shkelje të tmerrshme të të drejtave të punëtorëve dhe për miliona euro të humbura në vit nga mungesa e zbatimit të Ligjit të punës. Posaçërisht në sektorin privat, ku vlerësohet se mbi 70 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës, tha për “Express”, se Ligji i punës ka reflektuar pozitivisht te punëdhënësit. Ata, sipas tij, në muajt e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë shprehur interesimin e tyre për dispozita të caktuara të ligjit, të cilat i kanë pasur dilemë për mënyrën se si të zbatohen. Gjatë inspektimeve, ai thotë se kanë vërejtur se punëdhënësit kanë filluar t’ua bëjnë kontratat të gjithë punëtorëve, të cilat deri më tani nuk i kanë pasur. Por, nga inspektimet e muajit prill, ai thotë se nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë, pasi që kjo kohë ka qenë vetëm sa për t’i informuar punëdhënësit për zbatimin e këtij ligji. “Muaji maj do të jetë më i intensifikuar me inspektimet tona dhe pastaj nga vëzhgimet tona, ne do të veprojmë sipas ligjit”, tha Ibrahimi.


E, sa u përket hulumtimeve të sindikatave se 70 për qind e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa kontrata, ai e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se numri i atyre që nuk kanë kontrata mund të arrijë vetëm deri në 15 për qind.
Me zbatimin e këtij ligji nuk janë të kënaqur as udhëheqësit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. /Telegrafi/