LAJMI I FUNDIT:

Askushët dhe Askushi që i shkruan letër askujt

Askushët dhe Askushi që i shkruan letër askujt
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Askushi i dëshpëruar u ul në karrigen e tij, apo ndoshta edhe nuk u ulur fare, se në fund të fundit kush e di si shkruajnë në Olimp. E keni parasysh kush është Askushi? Ju kujtohet ai libri nga lektura shkollore, me Polifemin e dehur, delet, marinarët, e sidomos detin e trazuar dhe Posejdonin i cili e trazon atë si të dojë. Askushi ishte ai që e ndërtoi kalin e drunjtë.

Askushi e kishte ndarë mendjen të komunikojë me askushët atje poshtë, të thotë krejt çka i është mbledhur në zemrën e tij të bardhë dhe në kokën e tij të thinjur e të trazuar sikur…! Sikur? Athua, me çka të krahasohet një kokë e trazuar dhe e dëshpruar akademike?


Pra, ulur apo në këmbë, krejt njësoj, Ai po i shkruante një letër, askujt. Mendimet i vinin varg e vi, dhe ashtu i mbështolli mirë e mirë me mjegullën e Olimpit, dhe i nisi dika. Ju , askushë të dashur, mos u hutoni kur të ju vij postieri në derë. Ajo nuk ishte një letër klasike me adresë, as një email i zakonshëm, por thjesht ishte një mesazh i gjatë, drejtuar askujt.

Kjo askujt nuk është emër, as adresë, madje nuk është as askush. Ndërkaq, Askushi është dikush. Jo dikush i thjeshtë, por dikush të cilin askushët e lagjes elite e ngritën në Olimp, e bënë dikush, sepse ishte ndryshe nga të tjerët dhe askushët nuk ja njihnin askënd. Diqysh mundeshin me e sha, pa rrezikuar incest.

Pra, do ti, Askushi vendosi të shprehet, qysh e ka edhe adet, rrallë e përmallë. E shkroi letrën, e (sh)palosi atë, dhe e futi në shishe, i vuri tapën dhe e hodhi në det…! Por, as deti tashmë nuk është qysh ka qenë dikur.

Çka është një gjë që valë ka, e det nuk është? Çka është një gjë peshkaqen ka, e det nuk është? Le politika, por as Prometheu nuk është ai që ka qenë dikur. Në fund të fundit, kujt i bënë për kuptimin që kanë marrë gjërat në realitetin e sotëm virtual.
Edhe askushët janë virtualalizuar plotësisht. Më tepër preferojnë të lexojnë një letër nga shishja, sesa të shohin me sy të vet, rreth e rreth vetes. Thashethemet janë bërë e mirë publike, e lajme nuk ka, sepse lajmet nuk i interesojnë askujt.

Shishja flet, dhe shpërndanë mjegullën. E keqja e ka dominuar botën, e të mirët jemi mbet pak, krejt pak, sa numërohemi në gishta, flet shishja! Madje as në Olimp nuk janë të mirë krejt. Ka klane. Nejse…! Llafe prej shisheje!

Nuk është se nuk i kishte menduar gjërat, Askushi. Letrën do e hidhte në det, pavarësisht dilemave që i shprehëm edhe më lartë dhe për të cilat është më se i vetëdijshëm. As deti ynë nuk është çfarë ishte dikur. E gjen dikush, e ngushëlloi veten . Edhe pse pakkush nga askushët ka durim me e lexue deri në fund letrën, prapë se prapë qysh në fjalët e para do të reagojë kompleksi i tyre prej askushëve.

Ai beson te struktura. Është më se e sigurt se të gjithë që i shau, do e shajnë. E pasi i kam sharë të gjithë, do të më shajnë të gjithë, mendoi me vete dhe e kuptoi që përfundimisht me gjithë atë numër klikimesh do e sigurojë vendin në portal, pavarësisht cila parti të jetë në pushtet. Posejdoni, që e kontrollon detin, e kontrollon edhe median. Edhe Hadi…! Krejt, qaty!

Dëm që ndodhi të jetë dimër, se po të ishte verë, krejt Kosova do të ishte atje. Sapo të hidhej, shishja, do mbetej pa tapë. Sido që të jetë, deti është i trazuar , se valët e ftohta të Holandës kanë mbërri deri te rruga e kombit. Valët e trazuara të gjykatës, do e qojnë dikah shishen, dhe ajo do të gjejë lexuesit e sajë nga radha e pafund e askushëve, të cilët nga të gjitha klanet po përpiqen të i bindin se pikërisht ata janë fajtorë, e jo Askushët.

Pastaj, ka edhe dimensione të tjera këtu. Për shembull, e kujt tjetër mund të i fliste prej Olimpi, Askushi ynë? Dikur nga Olimpi lëshoheshin vetëm rrufetë. Pastaj kur zotat u mohuan, populli filloi të shkruante vetë fletërrufetë. Në fund fare, u pa se kjo punë s’ka fund. Ku ka fund e fillim kjo punë more, Askush? Të gjithë të këqij? Aspak çudi që edhe elitat paskan dalë të këqija nga llumi i askushëve, po na thua?

Njerëzit dhe zotat gjithnjë janë parë përmes mjegullës, Askush. Populli shihte nga poshtë dhe zotat nga lart. Asnjëra palë nuk e (mirë)kuptonte tjetrën. Secila palë kujtonte se tjetra po ia hidhte…!

E kuptuam, Askush! Pra, askund nuk është puna qysh duhet! Ky është përfundimi yt të cilin na e shpalosë plot pezëm dhe pozë, edhe pse në Askushi, këtë e dinë të gjithë. Na befasove se as në Olimp nuk qenka puna qysh duhet. Ani pra, aty askushët e kishin shpresën e fundit. Pavarësisht se nga vinit, e kryesisht vinit nga cepet e vendit të quajtur Askushi, ju e kapët Olimpin pasi nuk ju bënë vend në lagjet ku jetonin askushët. Askushët ju shinin ju që erdhët nga dikah, qoftë si meteor që shkëlqejnë qoftë si … gjithçka tjetër, por gjithsesi jo nga lagjja e askushve. E kush është bërë profet në fshat të vet? Si, të bëhesh profet, kur të njohin askushët deri në nëntë breze? Mund të jetë ndonjë katragjyshe e krisur, dhe një sanë që është djegur kot, dhe të rrënon krejt fushatën elektorale, për Olimp? Këndej kashta dhe sana, luajnë rol të madh në etikë, Askush. Prandaj, zotat nuk zgjidhen me demokraci të drejtpërdrejt!

Pra, është e qartë se zotat nuk mund të vijnë nga mesi ynë. Duhet sjellur nga cepet. Ose edhe nga larg diku. Mjafton të mos jenë vendorë.

Për Olimpin shpresohej të jetë mirë. Së paku aty është mirë, ngushëllohen pleqtë duke dhënë shpirt, dhe më të rinj që janë lindur dhe rritur me idenë se ishin askush. Gjithnjë Olimpi i kishte rrënuar përbrenda, duke i bindur se ata janë askush dhe nuk meritojnë të kenë emër, madje as identitet… mjegull vëlla. Askushët duhej të shikonin në qiell dhe të vështronin meteorët që vinin nga dika, shkëlqyen apo jo meteorqe.

A është Askushi ujk, apo qengj që e turbullon ujin? Ku dinë askushët e shkretë. Krejt mjegull është ba edhe në tokë. Civilizimet po përplasen në oborrin e tyre dhe ata po ndërrojnë kanalet me telepilot, ose po googllojnë. Po e kërkojnë veten, askushët. Së fundmi u ka ardhur edhe një letër…!