LAJMI I FUNDIT:

Arkitektura dhe vija

Arkitektura dhe vija

Pallati i Operës “Garnier”: E martë, 5 janar… orët e buzëmbrëmjes së vitit 1875. Në prezencën e kryetarit të Republikës së Francës, Patrice de MacMahon, të kryebashkiakut të Londrës, të atij të Amsterdamit, të familjes mbretërore të Spanjës si dhe të dymijë të ftuarve tjerë nga Evropa e më gjerë, u bë inaugurimi i Operës së Parisit, të projektuar nga arkitekti Charles Garnier. Programi inaugurues përmbante: uverturën e “Memeceve të Portisit” të Daniel Auberit; dy aktet e para te operës “Çifutja” të Fromental Halevyt; uverturën e “Vilhelm Telit” nga Gioachino Rossini; skenat bekimit të kamave të “Hygenotëve” nga Giacomo Meyerbeer-i… si dhe “Burimi” – baleti i Leo Delibesit.

Përveç ngjarjes kryesore, mbrëmja u karakterizua edhe me dy ndodhi të pakëndshme. E para: arkitekti që e kishte projektuar objektin nuk ishte ftuar në hapjen solemne; atij i ishte dashur ta blinte biletën. Me këtë gjest ndoshta pushtetarët donin t’i merrnin të gjitha meritat për veti. Sidoqoftë, publiku në sallë u ngrit në këmbë në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për arkitektin. Ngjarja tjetër që u diskutua atëherë e diskutohet ende është fakti se në Operë nuk kishte bufe dhe se për hir të mysafirëve të ftuar dhe publikut improvizohej një e tillë. Ky improvizim zgjati deri në vitin 2011 kur më në fund u zgjidh kjo “çështje” duke e projektuar dhe realizuar një restorant tashmë për nevoja turistike e të karakterit revyal, pa e anashkaluar funksionin e një bufeje për nevojat e publikut – gjatë pushimit në mes të akteve dhe për diskutimet para dhe mbas shfaqjeve.


Teatri kombëtar: E shtunë, 7 maj, orët e buzëmbrëmjes së vitit 1949… Me shfaqjen “Gishti para hundës” të dramaturgut kroat J. Horvat, u hap solemnisht Teatri i atëhershëm Popullor, në Prishtinë. Nuk dihen të ftuarit dhe nuk dihen ndodhitë tjera, përveç inaugurimit (dhe premierës). Një gjë dihet: teatri, edhe pse i projektuar për shtëpi kulture, e kishte bufenë që i shërbente artistët kur nuk ishin në shfaqje; pastaj kritikët e artit skenik, si dhe publikut. Kjo bufe ishte funksionale deri në kohën kur në Operën e Parisit nuk kishte bufe. Kur e bënë ata, “ne” në Prishtinë e mbyllëm. Parisit iu deshën tri tentime qeveritare, në një hark kohor prej më shumë se 130 vjetëve që ta “kompletojnë” objektin e Operës. E, tek ne kjo u zgjidh shumë shpejtë: një tender i anuluar dhe tjetri pas tij i suksesshëm e bufeja (ku mund të shkonte edhe shikuesi, dashamirësi i artit skenik) u hoq sikur mos të ishte kurrë.

Tash, shkuarja në teatër, në krahasim me të kaluarën, është disi më e thjeshtë: e pret biletën, vjen pesë minuta para shfaqjes, e zë vendin tënd, e “konsumon” shfaqjen dhe pastaj drejt e në shtëpi. Përshtypjet, mbresat, kritikat eventuale, porositë nga pjesa e shfaqur… nuk kanë nevojë të komentohen aty për aty, e as më vonë – as me shokë, as me miq, as me artistë, as me kritikë… as me askënd. Kritikën për shfaqje nuk e gjen as në faqet e shtypit të përditshëm; as në mediat audiovizive e as në portale, përveç kur ajo përputhet me skemën programore të shtëpive informative. Nëse suksesi i shfaqjes varet prej programit, prej trupës artistike dhe publikut, atëherë mund të themi se mungesa e bufesë ka ndikuar dukshëm në krijimin e një publiku tejet të disiplinuar.

Fakulteti i Arkitekturës: Shumë kohë pas mbylljes së bufesë së Teatrit, e mbyllën edhe bufenë e Fakultetit të Arkitekturës. Kjo bufe ishte plotë; gumëzhinte nga studentët që aty e kalonin pushimin mes orëve dhe ndonjë pauze më të madhe gjatë orarit, ose kur ishin të shtrënguar të prisnin sa të ndalet shiu. Ata aty freskoheshin, bisedonin, diskutonin, njiheshin mes veti dhe me gjeneratat tjera, këmbenin përvoja, konsultoheshin me studentët e viteve para tyre, i pyesnin asistentët dhe profesorët në mënyrë joformale kur ishin të ulur bashkë ose pranë njëri-tjetrit. Me një fjalë: aty plotësoheshin; përveç me informata, e gjenin edhe ndihmën e njëri-tjetrit. Aty i diskutonin të gjitha hallet dhe brengat që mund t’i ketë një student për studimet, për universitetin, fenomenet e ndryshme shoqërore… dhe, formonin opinione individuale e grupore.

Gjatë procesit të akreditimit të Fakultetit, profesorët nga Gjermania i prita në bufenë që ishte hapur tinëz vetëm për atë ditë, meqë orenditë ishin aty. Pas gjithë diskutimeve për silabuset, i erdhi radha vlerësimit të hapësirave. Ata i vizituan klasat, atelietë, kabinetet, tualetet… dhe, në fund, mbas lëvdatave për atmosferën e ngrohtë dhe frymëzuese, komentet i përmbyllën me konstatimin se bufeja ishte shumë e pëlqyer si hapësirë dhe si funksion i domosdoshëm social.

Mirëpo, kjo bufe si dhe të gjitha të tjerat në Universitetin e Prishtinës, ishin të mbyllura, me motivacionin e disiplinimit të studentëve si dhe të rritjes së buxhetit për studime e jo për “sorollatje” nëpër bufe. Tash, studenti e ka shumë më të lehtë dhe më të thjeshtë studimin: vjen në fakultet, e mban mësimin dhe nga aty drejtë në shtëpi.

Vija: Në arkitekturë, sikurse edhe në artet tjera, e pranishme është vija. Për dallim nga artet pamore tek të cilat vija mund të konsiderohet si gjurma e lëvizjes së një pike nëpër rrafsh, në arkitekturë kjo është shumë më ndryshe. Nëse në një objekt arkitektonik shkoqisim me qëllim disa pika të caktuara të objektit, e që janë të radhitura njëra pas tjetrës, ato rezultojnë me vijë. Dallimi tjetër mes vijave në pikturë dhe arkitekturë qëndron në atë se vijat në arkitekturë janë të karakterit taktil dhe si të tilla i konsiderojmë si vlerë shprehëse lineare. Arkitektura, si mile, është me ndikim gjithëpërfshirës në zhvillimin, në kultivimin dhe realizimin e personalitetit të njeriut. Hapësirat e caktuara i ofrojnë shkallë të caktuar sigurisë, mundësisë për të punuar, si dhe kënaqësisë.

Njeriu ndikon në arkitekturë dhe ajo ndikon tek njeriu. Sikurse arrihet vija tek objekte, ashtu edhe nga hapësirat arkitektonike mund t’i shkoqisim disa nga to, në mënyrë selektive, që të arrihet një qëllim vijor social e i caktuar, sikurse është mbyllja e bufesë që rezulton me ngushtimin e hapësirave sociale (pa të cilat nuk ka kushte për formimin e mendim publik). Assesi nuk mendoj se në bufe mund të merren vendimet e as të realizohet koncepti i mendimit publik, por në to ka pasë mundësi që mendimet të institucionalizohen si ide që do të shtroheshin si kërkesa. Kështu, komunikimi mes të studentëve dhe shoqërisë nuk do të ishte vijë njëkahëshe.

Fakti i mbylljes së bufeve dhe tkurrjes së hapësirave sociale na lë të kuptojmë qëndrimin dyshues të politikës ndaj botës intelektuale që në një mënyrë a tjetër është simptomë e një shoqërie unitare. Këto dukuri dhe ndikimet e tyre më vinin në mendje, gjë të cilën e përcillja hap pas hapi deri në momentin kur e mendova gjendjen ku jemi dhe ku mund të përfundojmë si shoqëri. Këtë udhëkryq ku mendja më shkoi në të gjitha drejtimet, unë s’mund ta përcillja më… ndaj u ndala në këtë pikë.