LAJMI I FUNDIT:

Arabia Saudite, kundër Katarit dhe Iranit

Arabia Saudite, kundër Katarit dhe Iranit

Shtetet e Gjirit Persik distancohen prej Katarit, pasi e akuzojnë atë për mbështetje të terrorizmit. Por vallë synohet vërtetë lufta kundër terrorizmit apo ka ndonjë tjetër aspekt që e shqetëson Arabinë Saudite?

Presidenca e SHBA-së njoftoi, se presidenti Donald Trump do të përpiqet për zbutjen e situatës në Gjirin Persik. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrain dhe Egjipti të hënën (05.05) ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me emiratin Katar. SHBA “nuk duan që kjo thyerje të vazhdojë” mes vendeve të Gjirit Persik, deklaruan përfaqësues të qeverisë Trump. Ndaj synohet që në një takim të mundshëm marrëdhëniet “të sillen në drejtimin e duhur”, u tha.


Ndërkohë që presidenti i SHBA-së Trump e përcaktoi vet këtë drejtim gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit në maj në Riad duke i forcuar krahët Arabisë Saudite: Trump në fjalimin e tij akuzoi armikun kryesor të Riadit Teheranin për mbështetje të terrorizmit. “Irani financon, armatos dhe përgatit terroristë, mercenarë dhe grupe të tjera ekstremiste”, tha presidenti i SHBA-së. Gjithashtu ai tha, se shtetet arabe duhet të sigurojnë, “që terroristët të mos gjejnë asnjë vend të sigurtë në territoret e tyre”.

Mbreti Salman Ibn Abd-Aziz u shpreh i entuziazmuar prej nismës së Trumpit, për farkëtimin e një fronti të ri kundër Iranit. E këtë tani e ndjeu i pari emirati i vogël Katar:

Përse? Arsyeja zyrtare për prishjen me Dohan formulohet: Katari mbështet terrorizmin e të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS), vëllazërinë myslimane, Hamasin palestinez si dhe grupet terroriste në Lindjen saudite në rajonin Katif dhe në Bahrain. Riad, Abu Dhabi, Manama dhe Kajro e akuzojnë këtë emirat, se po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në Gjirin Persik. Presidenti i SHBA-së Trump veprimin kundër Katarit në një mesazh në twitter e konsideron “ndoshta fillimi i fundit” të terrorizmit të tmerrshëm. Ai thotë, se gëzohet, që vizita ne tij në Riad ia vlejti duke pasur efekt kaq shpejt. Megjithatë duket se zyrtarisht nuk synohet aq terrorizmi, se sa raporti i Katarit me Iranin. Ky raport është veҁanërisht për Arabinë Saudite një halë në sy.

Prej kohësh Riadi akuzon fqinjin e vet shiit Iranin, se përzihet në punët e brendshme të mbretërisë sunite, për ta destabilizuar atë dhe për të zgjeruar rolin e vet në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite i druhet kësaj edhe sepse minoriteti i margjinalizuar shiit në lindje të Arabisë Saudite mund të ndihet i inkurajuar për të nisur një kryengritje – e pikërisht atje, ku ndodhen rezerva të rëndësishme nafte. Edhe Bahrain ka shqetësime nga influenca e tepërt e shiitëve në Iran, ndonëse udhëheqja e vendit është sunite, pjesa më e madhe e popullsisë është shiite. Gjithashtu Irani e ka ndryshuar në masë influencën e vet në Irak dhe në Siri gjatë luftës në Siri. Arabia Saudite ndihet më shumë se kurrë e rrethuar.

Në botën arabe Arabia Saudite ka krijuar prej kohësh aleatë të rëndësishëm: Emiratet e bashkuara arabe ndodhen në anën e Riadit. Mbretëria dominon në këshillin kooperues të Gjirit Persik(GCC). Edhe Egjipti i qeverisur në mënyrë autokratike, që varet prej ndihmave financiare prej miliardash të sauditëve, tregohet si një partner i besueshëm. Ndonëse Egjipti vitin e kaluar i ka intensifikuar marrëdhëniet me Teheranin – e kjo në fakt ngjall pakënaqësi në Arabinë Saudite.

Fakti që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti tani i kthejnë krahët Katarit, nuk është vetëm një kërcënim, por edhe synim që ky vend të vihet në pozitë të vështirë. Katari varet në masë prej importeve, kryesisht të produkteve ushqimore nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shoqëria ajrore “Qatar Airways” nuk lejohet më të ulet e të ngjitet në asnjërin prej këtyre vendeve.

Në një letër zyrtare Arabia Saudite i ka mohuar legjitimitetin fetar dinastisë sunduese Al-Thani. Ekspertët e vlerësojnë këtë si një thirrje për rrëzim. Emiri i Katarit ndodhet në krizën më të thellë të dinastisë së tij. Në të kundërt Arabia Saudite ndihet e inkurajuar prej mbështetjes së Trumpit, aq sa do ta bindë Uashingtonin që ta tërheqë nga Katari bazën gjigante të aviacionit ushtarak. Pyetja që shtrohet tani është, se si pikërisht Trump do ta zbusë tani krizën pas vizitës së tij në Riad. /DW/