LAJMI I FUNDIT:

Apple planifikon iPhone të “tejdukshëm”

Apple planifikon iPhone të “tejdukshëm”

Të gjithë e dimë se derisa jemi duke ecur rrugës dhe shkruajmë ndonjë SMS porosi njëkohësisht për të tjerët dukemi si të dehur, dhe rrezikojmë që të ndeshemi me ndonjë pemë, shtyllë elektrike, apo një këmbësor tjetër.

Por, me sa duket zgjidhja për këtë problem është duke u menduar, të paktën për përdoruesit e iPhone, pasi që Apple tashmë ka dorëzuar një patentë në SHBA, e cila ka për qëllim që telefonat e saj të mençur ti bëjë të tejdukshëm.

Duke e ditur se përdoruesit e saj tashmë janë shumë të varur nga telefoni i tyre, gjiganti amerikan i teknologjisë e ka menduar një opsion të ri për ta bërë përdorimin e iPhone më të sigurtë dhe më të përshtatshëm, në çdo situatë.

Apple ka menduar që ta bëjë iPhone-nin e tejkdukshëm duke u bazuar në kamerën e pasme të telefonit e cila do të shfaqte pamjet live të rrugës me anë të videos e cila duket në ekran. Me këtë, përdoruesit e iPhone do t’i shihnin pengesat në rrugë, derisa ata janë në lëvizje.


Në specifikat e patentës, prapavija e bardhë në iMessage për shembull do të shfaqte pamjet reale në rrugë përmes videos, ndërsa porositë në ekran do të vazhdonin të shfaqen.

Ende nuk dihet koha e lansimit të funksionit të ri të iOS, edhe pse disa zëra thonë se kjo gjë mund të ndodhë me lansimin e versionit të ri të iOS. / Telegrafi /