LAJMI I FUNDIT:

Anulimi i licencave i paligjshëm

Anulimi i licencave i paligjshëm

Shoqata Kosovare për Ndërtim të Rrugëve, ka kërkuar nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila që të anulojë vendimin e saj për heqjen e licencave për 100 kompani të ndërtimit të rrugëve. Ndërtuesit thonë se ministrja ka shkelur ligjin e ndërtimit 2004/15.

Ndërtuesit e rrugëve thonë se vendimi i ministres ka qenë shokues për të ndërprerë licencat e 100 ndërmarrjeve. “Arsyetimi se është bërë sipas ligjit të ndërtimit 2004/15 nuk qëndron pasi që Ministria përkatëse në këtë rast është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji dhe jo MTI”, thuhet në letër.

I tërë ky proces i licencimit i bërë deri më tani nga ana e MTI-së, është i jashtëligjshëm kanë thënë ndërtuesit e rrugëve duke kërkuar që të bëhet një auditim i përcjell me një hetim të hollësishëm nga prokuroria e shtetit dhe Agjencionit Kundër Korrupsionit

“Pra, deri sa ju të gjeni modalitete pa përfshirjen e bizneseve shumë familje dhe punëtore do të humbin punën, shumë fëmijë do të shohim prindërit e tyre pa punë dhe në shtëpi duke krijuar dhe shkaktuar probleme në shtëpi, shumë nga ta do të vazhdojnë të varfërohen dhe aq më tepër nuk do të kenë kushte edhe për strehim dhe banim, dhe kjo ju bënë edhe personalisht do të jeni përgjegjëse për këtë".


Ata kanë kerkuar anulimin e procesit të licencimit, duke i thënë ministres Kusari-Lila se për të gjitha pasojat ajo do të jetë përgjegjëse.

“Ne kërkojmë që të përqendroheni në detyrat e MTI-se, zbatimin e ligjit, eliminimi i barrierave tregtare dhe ligjore, metodologjia e zbatimit, përforcimi i inspektoratit, standardet e ndërtimit të adaptohen nga Standardet Evorpiane, rregulloret teknike dhe materialeve ndërtimore dhe lehtësirat në prodhimin e materialeve ndërtimore e jo të shkaktohet papunësi”, thuhet në shkresën e Eljesi Surdullit, Drejtor Ekzekutiv në Shoqatën Kosovare për Ndërtim të Rrugëve. /Telegrafi/