LAJMI I FUNDIT:

Antipavarësia

Në një kohë kur politikanët shqiptarë si asnjëherë më parë në historinë e tyre moderne kanë deficit të ndjenjave patriotike dhe kombëtare, kombi gjendet para një sfide e cila duket qartë se do të kushtojë rëndë në dekadën që vjen ose ndoshta edhe në vitin e ardhshëm.

Partitë e liderët, me një përjashtim e gjysmë në Shqipëri dhe Kosovë, po anatemojnë gjithçka në emër të integrimeve. Sot shqiptarët ditë e natë harxhojnë energjinë e tyre për integrimin me Spanjën, Qipron, Çekinë, Rumaninë e Greqinë, për t’u bërë pjesë e familjes së madhe, ndërsa në realitet, në terren, po ç’integrohemi si kurrë më parë.


Kosova po copëtohet, Shqipëria po asimilohet, shqiptarët në Maqedoni po anashkalohen, ata të Luginës së Preshevës po dëbohen, të Malit të Zi po burgosen, të Çamërisë po zhduken, ndërsa lidershipi po shikon të ardhmen në emër të disa politikave që ne, të vegjlit, nuk po mund t’i kuptojmë! Çudi!

Tokat shqiptare ka kohë që nuk kanë qenë kaq të rrezikuara. Ato dita-ditës po tkurren duke e bërë shqiptarinë edhe më të vogël se ç’është në realitet në kufijtë e saj gjeografikë. Sot, shtrirja e shqiptarëve në Ballkan më shumë i ngjanë një pacienti të prekur nga kanceri. Ndërsa Tirana, Prishtina dhe Shkupi vazhdojnë të shtiren se po hapërojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. E, në fakt, nevoja për platformë dhe cak politik ka kohë që është dashur të shndërrohet në manifest politik, i cili në vete do t’i bartte të gjitha premisat që do ta integronin kombin në “një”.

Ndonëse realiteti është ky, liderët po ekuilibrojnë veten me ata që nuk kanë asgjë me ne, ama bash asgjë. Në emër të vlerave evropiane, propozojnë ide që e lënë gojëhapur edhe vetë Tadiqin, ndërsa të gjithë ata që shprehen kundër, i quajnë antiamerikanë dhe antievropianë.

E çfarë na qenka, sipas këtij lideri, antiamerikanizmi dhe antievropianizmi?!

Sipas tij, të gjithë ne, vdekatarët, duhet ta harrojmë 1999-tën, duhet t’i harrojmë 14 mijë viktimat, 4.500 gratë dhe vajzat e reja të përdhunuara, 1 milionë refugjatët, aparteidin… e shumë e shumë gjëra që kanë tronditur rëndë ndërgjegjen tonë kolektive. Pra, për teket e këtij lideri kombi duhet të kthehet edhe një herë në vitin 1998, ndërsa familja Jashari sërish duhet të flijohet për të, e më pas të përjetohet edhe një herë ana çnjerëzore e regjimit të Beogradit, që sërish të kthehemi këtu ku jemi sot!

Kjo hegjemoni e politikës zyrtare duket se e ka okupuar rëndë fuqinë e tyre të të menduarit, mirëpo edhe durimit të sovranit duket se i ka ardhur fundi. Rezistenca politike hëpërhë mund edhe të mos duket shumë e theksuar, por ama ajo shumë shpejt mund edhe të konsolidohet. E pastaj, ata që e prodhojnë krizën, nuk dihet se si do t’ia bëjnë hallin vetes.

Historikisht dihet se në diplomaci nuk ka miqësi të përhershme e cila vazhdon me shekuj. Këtë fakt Thaçi e Berisha, por edhe Ali Ahmeti, do të duhej ta kishin kuptuar me kohë. Aleatët e shqiptarëve edhe në Konferencën e Londrës ofruan zgjidhje të përkohshme për shqiptarët, mirëpo përkohësia e tyre tashmë po i mbush 100 vjet.

Të këtilla mund të jenë edhe rezolutat e përkohshme të Thaçit, i cili ka kohë që duket se është tjetërsuar nga zanafilla e vetë kombëtare dhe politike. Dimensioni i veprimit të tij politik prej kohësh i ngjan kryeadministratorëve të UNMIK-ut, që e shikonin Kosovën dhe shqiptarinë sikur të ishte Mogadisho.

Mirëpo, asnjëri prej tyre sot nuk gjendet në Kosovë. Thaçi është i yni, ai sigurisht nuk do të shkojë në Irlandë e gjetiu, mirëpo do të shkojë aty ku kanë shkuar shumë figura politike me shumë "nam".