LAJMI I FUNDIT:

Anglia mposht Japoninë

Anglia mposht Japoninë

Anglia ka arritur të shënojë fitore shumë të vështirë ndaj Japonisë, në miqësoren përgatitore para Botërorit të këtij viti në Afrikën e Jugut, me rezultat 2-1.

Pas një harkimi të mirë në zonë nga Keisuke Honda, ishte Marcus Tulio Tanaka ai që u gjend mirë në zonë për të shënuar golin e epërsisë (7’). Anglia intensifikoi përpjekjet në vazhdim të takimit, ndërsa golin e dytë në ndeshje Tanaka e shënoi në minutën e 72-të, por kësaj radhe në portën vet, për të barazuar rezultatin në 1-1.

Joe Cole dhe Aaron Lennon patën një ndikim të jashtëzakonshëm në lojën e Anglisë, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 83-të, përsëri nga një autogol, kësaj radhe golashënues ishte Nakazawa, që devijoi një harkim të Joe Cole. Ishte Japonia ajo që pati rastin të barazojë rezultatin në çastet e fundit të takimit, kur u godit shtylla, por pa sukses.

Kjo ndeshje është një sinjal i qartë për Fabio Capellon, që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për mënyrën e lojës, pasi që Botërori po afrohet, ndërsa me këtë lojë Anglia nuk mund të pretendojë të kalojë as fazën e grupeve. /Telegrafi/