LAJMI I FUNDIT:

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, vendim politik – cilat janë “pikat e nxehta” që mund të ndikojnë në këtë proces

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, vendim politik – cilat janë “pikat e nxehta” që mund të ndikojnë në këtë proces

Më 12 maj 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg e kishte bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Kur po i afrohemi njëvjetorit të aplikimit në këtë organizatë ndërkombëtare, ende nuk dihet se deri ku ka arritur procesi pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës vazhdon të mos deklarohet në lidhje me këtë.


Por, deri tek marrja e vendimit final, aplikimi i Kosovës në këtë organizatë duhet të kaloj nëpër disa procedura.

Njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE.

Por, ai thotë se nëse nuk ka përparim në dialogun me Serbinë gjasat për t’u anëtarësuar janë minimale.

Këshilli i Evropës konfirmon aplikimin e Kosovës për anëtarësim
Lexo po ashtu Këshilli i Evropës konfirmon aplikimin e Kosovës për anëtarësim

“Procedurat nuk kanë afate, sepse shumë gjëra varen nga zhvillimet politike. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova që sa më shpejtë që të jetë e mundur ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, diçka që është thënë në forma të ndryshme nga shtetet kryesore evropiane dhe vetë SHBA, kjo e fundit e ka statusin e vëzhguesit në KiE. Pa përparim në dialogun me Serbi, gjasat për anëtarësim në KiE janë minimale, nëse jo edhe inekzistente”, u shpreh Hoti.

Se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është vendim politik, e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Arifi në një prononcim për Telegrafin tha se anëtarësimi në këtë organizatë varet nga raportet që ka Kosova me partnerët në KiE.

“Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, tash pothuajse është më shumë vendim politik dhe gjasat për tu anëtarësuar tash më shumë varen nga raporti i Kosovës me partnerët tanë në KiE se në çfarë mënyre do të prezantohet Kosova në këtë organizatë, në kuptimin e asaj se a i ka përmbushur disa kritere fondamentale që të procedohet tutje dhe partnerët tanë të na përkrahin në anëtarësim”, tha Arifi.

Cilat janë procedurat e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar?

Njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti ka shpjeguar procedurat që ekzistojnë brenda Këshillit të Evropës, kur një vend aplikon për tu bërë pjesë e kësaj organizate, duke shtuar se vetë KiE nuk është se i ka të specifikuara hapat proceduralë.

“Duhet përmendur se hapat proceduralë konkretë për anëtarësime në KiE nuk mund të gjenden të specifikuar as në Statut të KiE-së, as Rregulloren e punës së Këshillit të Ministrave të KiE-së dhe as në Rregulloren e Punës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Gjithsesi, KiE ka 2 organe kryesore: 1) Këshilli i Ministrave i cili mblidhet 2 herë në vit, dhe 2) Asambleja Parlamentare, e cila mblidhet 1 herë në vit. Zakonisht Këshilli i Ministrave ku ulen Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare mblidhet para dhe pas mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të KiE-së”, tha Hoti për Telegrafin.

Ai ka shtuar se Presidenca e Këshillit të Ministrave të KiE-së zgjat 6 muaj.

Agron Hoti – njohës i proceseve integruese

“Islanda e mban aktualisht Presidencën e Këshillit të Ministrave që ka filluar më 9 nëntor 2022 dhe përfundon më 17 maj 2023. Presidencën e radhës e merr Letonia nga 17 maj deri në nëntor 2023, pastaj Lihtenshtajni nga 15 nëntor 2023 deri më 17 maj 2024, Lituania nga 17 maj deri më 9 nëntor 2024, Luksemburgu nga 17 nëntor 2024 deri më 17 maj 2025, e kështu me radhë. Të gjitha këto vende të lartpërmendura e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoti, duke shtuar se pas marrjes së aplikacionit për anëtarësim, Këshilli i Ministrave të KiE-së i kërkon opinion apo rekomandim Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

“Kjo e fundit pas analizimit të gjendjes në Kosovë e përgatit një raport të përgjithshëm, i cili prezantohet në seancë Asamblesë Parlamentare të KiE-së dhe i cili duhet të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare. Opinioni apo rekomandimi i Asamblesë Parlamentare është vendimtar për Këshillin e Ministrave të KiE-së për pranim apo jo të Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas njohësit të proceseve integruese, pas rekomandimit pozitiv të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, atëherë Këshilli i Ministrave të KiE-së duhet të vendos me 2/3 pro anëtarësimit të Kosovës.

“Nëse vendos pro Kosovës, atëherë Këshilli i Ministrave të KiE-së përmes Sekretarit të Përgjithshëm i bën ftesë Kosovës për anëtarësim në KiE. Në ftesë caktohet numri i anëtarëve të Kosovës për Asamble Parlamentare të KiE-së si dhe kontributi financiar që duhet dhënë Kosova për KiE në baza vjetore”, u shpreh Hoti.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë se Kosova duhet të zgjidh problemet me komunitetin serb dhe çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit.

Sipas tij, këto mund të jenë dy pikat e nxehta të cilat mund t’i hapin rrugë ose jo anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Dritëro Arifi – profesor i marrdhënieve ndërkombëtare

“Me siguri ka disa kushte që Kosova duhet t’i plotësoj, po supozoj zgjidhja e problemit me komunitetin serb sesi do të rrjedh deri në gjysmën e këtij viti dhe çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit. Këto mund të jenë dy pikat e nxehta të cilat presin me përfundu të paktën deri në gjysmën e këtij viti dhe pastaj të shihet se cilat janë mundësitë e Kosovës për të proceduar që të paktën për këtë vit të shohim se a mund ta kemi një dritë të gjelbër. Vështirë e shoh, por mundësia aty është dhe kjo varet nga Kosova se çfarë raporti do të ndërtoj me partnerët tanë në Këshill të Evropës”, u shpreh Arifi.

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të parë se deri ku ka shkuar procesi i aplikimit në Këshill të Evropës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi pranuar asnjë përgjigje.

Më 16 mars 2022 Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës (KiE) për shkak të agresionit në Ukrainë, kjo automatikisht i kishte hapur rrugën Kosovës për anëtarësim në KiE.

Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin për të qenë anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Piu kafenë e mëngjesit me ta dhe më pas u mori jetën, detaje nga vrasja e çiftit në Dropull

Piu kafenë e mëngjesit me ta dhe më pas u mori jetën, detaje nga vrasja e çiftit në Dropull

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Daçiq: Ndërkombëtarët po i bëjnë presion Kurtit për Asociacionin

Daçiq: Ndërkombëtarët po i bëjnë presion Kurtit për Asociacionin

Lajme
Gjendet trupi i pajetë i 9-vjeçares, fati ende i paditur për nënën dhe dy fëmijët e tjerë që dyshohet se janë vetëmbytur në Shkodër

Gjendet trupi i pajetë i 9-vjeçares, fati ende i paditur për nënën dhe dy fëmijët e tjerë që dyshohet se janë vetëmbytur në Shkodër

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Kalo në kategori