LAJMI I FUNDIT:

AKEP hap tenderin për licencën “3G”

AKEP hap tenderin për licencën “3G”

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hapur tenderin për licencën e dytë “3G”. Në garë do të jenë tre nga katër kompanitë e telefonisë celularë, për faktin se njëra prej tyre tashmë e disponon licencën qysh nga nëntori i vitit të kaluar.

Në njoftimin e AKEP është lënë që në datën 5 shtator kompanitë e interesuara të paraqesin ofertat e tyre dhe vlera minimale e hyrjes në tender, ashtu sikurse edhe më herët, është lënë ajo e 12.5 milionë eurove. Për kompanitë që paraqesin një vlerë më të ulët sesa kjo, nuk është lënë asnjë alternativë tjetër përveçse skualifikimit.

Në fakt, nga ana e shumë institucioneve dhënia e vetëm një licence “3G” për kompanitë celulare që do të ofrojnë shërbimet e gjeneratës së tretë, u komentua si negative dhe me impakt në konkurrencë, ndërkohë që Banka Botërore bëri propozimin e saj në një raport që të zgjerohej numri i licencave.

Teknologjia “3G” ofron telefonata zanore të mundësuara nga interneti “wirless” në hapësira të mëdha gjeografike, video-telefonata, akses në internet përmes telefonit dhe Mobile TV. Po kështu, të tjera shërbime që vijnë me teknologjinë “3G” janë ato që kanë të bëjnë me dërgimin në kohë reale në telefon të kushteve të motit në një zonë të caktuar, të gjendjes së trafikut apo gjetjen e adresave specifike për bizneset./Telegrafi/