LAJMI I FUNDIT:

AKB organizon për herë të tretë Berzën e Punësimit

AKB organizon për herë të tretë Berzën e Punësimit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) për herën e tretë organizon Berzën e Punësimit “Kosova 2011” Me moton “Një mundësi e re, Eja informohu, Regjistrohu, Trajnohu dhe Eja punësohu”. Berza do të mbahet në Prizren më 5 maj, Ferizaj më 10 maj, Mitrovicë më 13 maj dhe në Prishtinë më 20 maj.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se berëza e punësimit ka për qëllim uljen e papunësisë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Ai gjatë një konference për medie të mërkurën ka ftuar të gjitha ndërmarrjet vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë së paku me një të punësuar.

Shahini bëri të ditur se mbi 150 kompani deri më tani kanë shprehur interesimin që të marrin pjesë në berzën e punësimit “Kosova 2011”. Po ashtu edhe koordinatorët regjional të AKB-së kanë bërë përgatitjet e duhura për mbarëvajtjet e duhura.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka vlerësuar berzën e punësimit si një mundësi të mirë që punëkërkuesit kosovar të gjejnë një vend të punës. Ai tha se qeveria e Kosovës, është e gatshme që të përkrah çdo organizim i cili ka për qëllim nxitjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.


Nga berëza e viteve të kaluara, janë punësuar mbi 1000 punëkërkues, të cilët janë punësuar në kompani të ndryshme vendore. Ky projekt mbështetet gjithashtu edhe nga Komuna e Prizrenit, Ferizajt, Mitrovicës, Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë. /Telegrafi/