LAJMI I FUNDIT:

Adem Jashari, rikujtim përmes objektesh

Adem Jashari, rikujtim përmes objektesh

Një xhup meshkujsh, ngjyrë leila të errët, me një xhep tërësisht të grisur, me jakë të shqyer dhe me vrima ngado, ndodhet mbi tavolinën e punës në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit në Tiranë. Po aty ndodhet edhe një këmishë femrash, lino, ngjyrë qumështi shoqëruar me shirita rozë e blu, të cilën nuk di nga ta kapësh. Njollat e errëta të kalbjes ndihen nëpër të. Ndonëse është pastruar, larë dezinfektuar, sërish ke frikë ta prekësh. Të ngel në dorë, e copëtuar.

Janë këto dy objektet e fundit që po restaurohen nga grumbulli i madh i veshjeve tekstile të familjes së legjendarit, Adem Jashari. Një vit më parë, teksa bëhej transportimi i këtyre objekteve nga Kosova në Shqipëri të familjes Jashari, era e mykut kutërbonte çdo kënd.

U sollën në Shqipëri për t’u restauruar në kuadër të një projekti të përbashkët të fondacionit "Adem Jashari", në Kosovë, institutit të Kulturës Popullore si dhe Akademisë së Shkencave, ndonëse gjendja e tyre ndodhej në grahmat e fundit.


U vendosën për një kohë të gjatë në një nga ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ku edhe u lanë aty për ajrim. Më pas u morën pak nga pak dhe u pastruan, nga baltërat, nga copëzat e predhave që gjendeshin nëpër to, nga pjesët e djegura dhe nisi restaurimi i tyre.

Sot një vit më vonë, plot 120 veshje, po bëhen gati për t’u nisur në Prekaz, vendin ku së shpejti do të ngrihet një muze për nder të heroit Adem Jashari.

Të gjitha i përkasin, familjes Jashari. Dhe janë kryesisht veshje si xhupa, triko, pantallona, bluza, këmisha, çorape, veshje për fëmijë, jorganë të grisur, jastëkë, perde, të cilat kur mbërritën në Shqipëri një vit më parë ngjasonin me një grumbull vjetërsirash.

Janë mbledhur një vit pas luftës, në 1998, kur u shua gjithë familja Jashari, bashkë me njolla balte.

"Pas mbërritjes në Shqipëri, këto objekte të cilat mbanin erë të keqe, nga lagështira, myku, balta e djegiet kërkonin një punë serioze për t’u restauruar. Pas pastrimit të baltës, nuk dinin se çfarë njollash do të kishin poshtë saj", tregon shefi i laboratorit të restaurimit, Frederik Stamati, i cili sot, kur ka vetëm dy objekte në dorë, thotë se tani projekti u realizua.

"Një vit më parë, nuk dinin nga t’ia fillonim, pasi ndër objektet e familjes Jashari ne zgjodhën ato që ishin në gjendje tepër të rëndë. Një pjesë e këtyre objekteve që ne restauruam ishin dëmtuar në mënyrë ekstreme. I depozituam në Muzeun Historik, ku i lamë për një periudhë të gjatë për ajrim, më pas filluam t’i tërheqim pak nga pak dhe pas restaurimit i kthyem sërish më muze. Ishte punë e vështirë", thotë ai.

Ndërkohë po t’i shohësh sot, të restauruara, të paketuara brenda qesesh plastmasi, as që mund ta imagjinosh gjendjen e tyre të mëparshme. Por të restaurosh objekte të tilla, aq më tepër tekstil, duhen padyshim vite të tëra pune.

Brenda një viti, në laboratorin shqiptar, (kushtet e së cilit, po t’i krahasosh me vendet në rajon, kanë shumë diferencë) është bërë restaurimi total i 120 objekteve. Dhe është bërë më e mira e mundshme, tashmë ato janë gati për ekspozim. Po ku?

"Pas përfundimit të këtyre dy objekteve të fundit, të familjes Jashari, të gjitha objektet do të udhëtojnë sërish drejt Prekazit, vendit nga ku u mblodhën. Fillimisht do të ekspozohen në disa ambiente pranë bunkerit që kishte ndërtuar vetë legjendari, shprehet Stamati, deri në kohën kur do të ndërtohet edhe muzeu që do të mbajë të njëjtin emër".

Shoqata "Adem Jashari", e kryesuar nga Shaban Hoxha, aktualisht ka një projekt shumë të madh. Por padyshim duhet ende kohë për të nisur nga puna.

Sipas Hoxhës, i telefonuar nga gazeta, "këto objekte të sapo restauruara, fillimisht do të ekspozohen në katër ambiente, ku vizitorët vendas e të huaj, të kenë mundësinë t’i shohin nga afër, veshjet e heroit, të cilat nuk janë evidentuar ende se cilat janë ekzaktësisht".

Por këto nuk janë të vetmet. Një tjetër projekt pas përfundimit të restaurimit të objekteve tekstile sipas Shaban Hoxhës, është edhe restaurimi i objekteve të tjera, që janë të shumta. Janë orendi shtëpiake, enë kuzhine, janë objekte zbukurimi, një krevat druri, në të cilin është gdhendur një shqiponjë kuq e zi, stola, sobë, vegla pune e një traktor.

"Janë gjithë çka mundur të shpëtohet nga lufta. Në gjendje më të keqe, janë tekstilet pastaj vijnë ato prej lëkure e më pas orenditë e tjera", shton Hoxha. E pas ndërtimit të muzeut, po aq edhe restaurimit të këtyre objekteve, që janë ruajtur me fanatizëm, atëherë me plot gojën do të munden të thonë: "Bac, tash u kry!". /panorama/