LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e 16 ndërmarrjeve përfitojnë 2.5 milionë euro

Punëtorët e 16 ndërmarrjeve përfitojnë 2.5 milionë euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) gjatë ditëve në vijim do të shpërndajë shumën prej 2.576.049 euro për 1415 punëtorë të 16 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara më parë.

Pas kalimit të afateve ligjore për ankesa në AKP dhe në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, AKP-ja, në përputhje me procedurat ligjore, ka arritur që të bëjë kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm të listave të punëtorëve që përfitojnë nga shuma 20 përqindëshit për 16 ndërmarrjet shoqërore Vinex Viti”; “Dubrava Istog”; “1 Maj Rahovec”; “Koritnik Prizren’; “Kosovashped”; “NT Deçani Deçan”; “Lav. Blegtori”; Metal Holding”; “Ndërtimtari Pr”; “Letnica Gjilan”; “Sham Drita Gjilan”; “KB Liria Bardhosh”; “Klinapremix”; NBI Rahoveci”; “Erozioni Pejë” dhe për ndërmarrjen shoqërore “Fabrika e Ushqimit të Kafshëve”.

AKP nëpërmjet një komunikatë për media ka njoftuar se shpërndarja e kësaj shume dëshmon përkushtimin e Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit të AKP-së, për të përshpejtuar këtë proces dhe për të përfunduar listat e mbetura të pashpërndara nga e periudha e kaluar, në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve për shpërndarje të pjesshme të miratuar në fillim të vitit 2010.

AKP deri më tani ka bërë shpërndarjen e mjeteve 20 për qind që u takojnë punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në shumën 42 milionë euro, prej të cilave 15.6 milionë euro janë shpërndarë në kohën e ish-AKM-së, kurse mbi 26 milionë euro janë shpërndarë nga ana e AKP-së, e cila u themelua në muajin gusht të vitit 2008. Vetëm gjatë këtij gjysmë viti 2011 AKP ka arritur që të shpërndajë shumën 8.444.182 euro. /Telegrafi/