LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore mbështet projektet në fushën e energjisë

Banka Botërore mbështet projektet në fushën e energjisë

Ministri i Financave, Bedri Hamza priti të enjten për vizitë drejtorin ekzekutiv në Bankën Botërore dhe i konstituencës belgo-austriake Konstantin Huber.

Ministri Hamza e informoi Huber lidhur me përparimet që ka bërë Kosova sa i përket zhvillimit ekonomik, planeve financiare dhe relacioneve me FMN-në, dhe për mënyrat e adresimit të nevojave të shumta të qytetarëve, duke ju përmbajtur në të njëjtën kohë edhe rregullave fiskale dhe përkushtimit të Qeverisë për të pasur një buxhet të balancuar.

Ai, gjithashtu e njoftoi për procesin dhe reformat e ndërmarra në sferën e menaxhimit të financave publike si dhe për hapat të cilët janë marr për zgjidhjen e nevojave shoqërore. Gjatë takimit u diskutuan edhe projektet strategjike të Kosovës në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe roli i këtyre projekteve në zhvillimin afatgjatë në ekonominë e Kosovës.

Huber nga ana e tij shprehu përkushtim për përfaqësim të duhur të interesave të Kosovës në Bankën Botërore, duke e potencuar rëndësinë e vazhdimit të implementimit të projekteve me përkrahjen e Bankës Botërore, me theks të veçantë projekteve në sektorin e energjisë. Ai potencoi rëndësinë e financimeve që vijnë nga Banka Botërore për Kosovën, sidomos duke pasur parasysh kushtet e volitshme të cilat vështirë se mund të gjenden në tregjet financiare. /Telegrafi/