LAJMI I FUNDIT:

Regjistrim falas për bizneset

Regjistrim falas për bizneset

Qeveria e Kosovës është në procesin e ndryshimit të 12 ligjeve për sa i përket aktivitetit biznisor, në përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes. Me ndryshimet që pritet të aprovohen do të mundësohet shkurtimi i afateve për regjistrim të biznesit, përfshirë edhe heqjen e shpenzimeve për regjistrim.

Deri më tani grupi punues i formuar për këto ndryshime ka përfunduar me shtatë projektligje, nga 12 sa do të ndryshohen. Kështu ka bërë të ditur për gazetën Tribuna, Mustafë Hasani, u.d. i kryeshefit ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve.

Afati për regjistrimin e biznesit që tani është 10 ditë parashihet të shkurtohet në 3 ditë, kapitali fillestar për regjistrim si Shoqëri Aksionare nga 25 mijë euro sa është tani do të zvogëlohet në 15 mijë euro, ndërkaq pagesat aktuale për regjistrim të biznesit 5 euro dhe 22 euro, me ndryshimet e bëra do të heqin dhe regjistrimi i bizneseve do të mundësohet falas. /Telegrafi/