LAJMI I FUNDIT:

Kredia rritet me 5.7 miliardë lekë

Kredia rritet me 5.7 miliardë lekë

Portofoli i kredisë së sistemit bankar shtohet me 5.7 miliardë lekë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit maj teprica e kredisë arriti në 505.9 miliardë lekë, me një rritje mujore prej 1.1% dhe një rritje vjetore 10.5%. Shtysa kryesore vjen nga kredia për biznesin, që për muajin maj arriti në 332.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2 miliardë lekësh, ose 0.9% krahasuar me prillin.

Por, sinjalet pozitive vijnë edhe nga segmenti i kredisë për individë. Totali i kredisë për individë në fund të muajit Maj arriti vlerën e 153.4 miliardë lekëve, me një rritje prej 900 milionë lekësh, ose 0.6% krahasuar me muajin prill. Ndonëse me ritme më të ngadalta, rritja e kredisë për individë është një zhvillim i rëndësishëm në kuadrin e ecurisë së tregut.

Gjatë vitit 2010, kredia për individë ka pasur një ecuri stanjative, ndërsa gjatë këtij viti po rritet me ritëm të ngadaltë, por të vazhdueshëm. Nga ana tjetër, depozitat vazhdojnë të rriten me ritme të rregullta. Në muajin maj, totali i depozitave të sistemit arriti vlerën e 810.6 miliardë lekëve, 10 miliardë lekë ose 1.2% më shumë krahasuar me prillin. Depozitat në lekë vazhdojnë të jenë në shumicë dhe në fund të muajit maj zinin 53.2% të totalit. /Telegrafi/