LAJMI I FUNDIT:

AKP kundërshton Gjykatën Kushtetuese

AKP kundërshton Gjykatën Kushtetuese

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka rënë në hall të madh. Me fuqizimin e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, Agjencia duhet të kompensojë punëtorët e Fabrikës së gypave në Ferizaj me mbi 26 milionë euro. E problem për AKP-në është shuma e kompensimeve, e cila është më e madhe sesa vlera e shitjes së kësaj fabrike për shumë herë. Kjo fabrikë është shitur në vitin 2006 për 3.6 milionë euro. Udhëheqës të AKP-së thonë se nuk mund të marrin mjetet nga shitja e ndërmarrjeve të tjera, vetëm e vetëm për t’i paguar këta punëtorë.

Shkëlzen Lluka, drejtor në AKP, nuk pajtohet me këtë vendim, për të cilin kanë kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese. Ai tregon se kanë marrë sqarimin se Agjencia në bazë të shitjes që është bërë nga privatizimi i asaj fabrike, do të kompensojë punëtorët e asaj ndërmarrjeje në bazë të vendimit të Gjykatës. “Duhet të ceket se paratë e mbledhura nga shitja e një ndërmarrjeje në likuidim, ashtu siç e parasheh edhe ligji, ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë kreditorët e mundshëm apo legjitimë në këtë rast, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që afirmon vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt”, thotë drejtori Lluka, shkruan Express.

Sipas tij, AKP-ja nuk mund të plotësojë kërkesat e një ndërmarrjeje në dëm të një ndërmarrjeje tjetër. “Paratë do të shpërndahen për aq sa është shitur, do të thotë 20 për qind kalojnë për punëtorët e ligjshëm dhe mbetja prej 80 për qind do t’u shpërndahet punëtorëve”, tha ai.

E në bazë të ligjit, Lluka thotë se paratë nuk mund të merren nga një ndërmarrje tjetër dhe të transferohen për përmbushjen e kërkesave të një ndërmarrjeje tjetër. Gjykata Kushtetuese ka fuqizuar vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, e cila ua njeh të drejtën e kompensimit punëtorëve të kësaj fabrike.


Vlera e kompensimit arrin shumën në 26 milionë euro, ndërsa fabrika është shitur në vitin 2006, për vetëm 3,6 milionë euro. Në sqarimin e vendimit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, vendimi është cilësuar si i detyrueshëm nga Gjykata Kushtetuese, vendim ky që është prolonguar për nëntë vjet. /Telegrafi/