LAJMI I FUNDIT:

KEK-u gati për veri

KEK-u gati për veri

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është e gatshme për t’iu qasur veriut të Kosovës, që për këtë ndërmarrje ka qenë pjesë e pashkelur për plot 12 vjet. Pjesa veriore tash e 12 vjet është furnizuar “gratis” me energji elektrike nga KEK-u. Kjo e fundit asnjëherë nuk ka arritur të bëjë leximin e njësorëve në atë pjesë të vendit, ndërsa borxhin e ka llogaritur nga daljet 10-kilovoltëshe.

Arritja eventuale e marrëveshjes do të jetë një shpresë për KEK-un, pasi thirrjet e deritanishme në drejtim të institucioneve dhe EULEX-it nuk i kishin ofruar siguri për qasje në atë pjesë të vendit.

Udhëheqësja e ekipit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se një nga pikat e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbinë është edhe normalizimi i pagesave të KEK-ut për pjesën veriore të vendit.

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj ka thënë se plani operativ për fillimin e leximit të njësorëve në pjesën veriore është i gatshëm. “Prej kohësh e kemi planin operativ për qasjen në pjesën veriore të Kosovës, por nuk kemi pasur siguri ta realizojmë. Plani është i detajuar dhe do t’i qasemi njëjtë siç kemi bërë edhe në gjithë pjesët e tjera”, ka thënë Gjukaj. /Telegrafi/