LAJMI I FUNDIT:

Me Shqipërinë hiqen çmimet e referencës

Me Shqipërinë hiqen çmimet e referencës

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila të mërkurën u takua në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha për të biseduar rreth disa çështjeve siç janë: ajo e eliminimit të çmimeve referente të aplikuara nga doganat respektive të cilat po shkaktojnë frustrim tek eksportuesit kosovarë. Në takim u diskutua edhe ndërtimi i rrugës 34 kilometërshe Fierzë - Koman, bashkëpunimi diplomatik, unifikimi dhe standardizimi i sistemeve të edukimit, kulturës, dhe ekonomisë.

Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila parashtroi problemin e çmimeve referente të zbatuara nga Dogana e Republikës së Shqipërisë për prodhimet nga Kosova që eksportohen për në Shqipëri. Kusari-Lila përmendi rastin e fundit të qumështit të fresket, për të cilën u përdorën çmimet referente duke dyfishuar taksën dhe në këtë mënyrë duke e bërë të pamundur plasimin e qumështit të freskët në tregun e Shqipërisë. Gjatë verës, Kosova ka mbiprodhim të qumështit të freskët gjersa në Shqipëri, për shkak të turizmit, ka kërkesë më të madhe, gjë që do të rezultonte në një tregti shumë efikase.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se çdo pengesë e tregtisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të eliminohet dhe garantoi që nga ky takim, më nuk do të aplikohen çmimet referente. Berisha e përsëriti se çdo produkt që prodhohet në Kosovë dhe që ka origjinë kosovare do të mund të hyjë në Shqipëri pa u përdorur çmimi referent dhe e njëjta do të vlejë për produktet nga Shqipëria të cilat eksportohen në Kosovë. Këtë vendim Berisha ia komunikoi drejtpërdrejtë edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave të Shqipërisë, Flamur Gjymishka, i cili ishte prezent në takim.

Zëvendëskryeministrja Kusari Lila iu falënderua Kryeministrit Berisha në emër të Qeverise së Republikës së Kosovës për dhurimin e objektit për Ambasadën e Kosovës në Shqipëri. Njëherit, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për bashkëpunim diplomatik duke hapur ambasada të përbashkëta në çdo shtet dhe kështu duke ndarë kostot e blerjeve dhe të stafit diplomatik, model ky i përdorur nga shumë shtete të zhvilluara perëndimore siç janë shtetet skandinave apo gjermanofolëse. Një projekt i tillë është mirëpritur nga zëvendëskryeministrja Kusari Lila e cila konfirmoi mbështetjen.


Sa i përket ndërtimit të rrugës Fierzë – Koman, Kusari-Lila ritheksoi rëndësinë e kësaj rruge që ka rol kyç për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Kosovës Perëndimore. Berisha e rikonfirmoi përkrahjen për këtë projekt dhe tha se, studimi i fizibilitetit tashmë veç ka përfunduar, mirëpo për shkak të buxhetit të limituar, kjo rrugë nuk do të mund të ndërtohet deri në vitin 2013. /Telegrafi/