LAJMI I FUNDIT:

Për biznes duhet ndryshuar 12 ligje

Për biznes duhet ndryshuar 12 ligje

Për t’u ngjitur sa më lart nga fundi i listës së raportit të Bankës Botërore, “Doing Business”, e cila e rendit Kosovën në vendin e 119-të, Qeveria duhet të ndryshojë dhe plotësojë së paku 12 ligje. Njohësit e ekonomisë kërkojnë që kjo të ndodhë sa ma shpejt, pasi investimet e huaja vitet e fundit janë përgjysmuar.

Gjasat që Kosova të arrijë të përmirësojë pozitën e saj sa u përket renditjes në vendin e 119-të në raportin e Bankës Botërore, “Doing Business” brenda këtij viti, janë shumë të vogla. Për t`u arritur kjo, më e pakta që është e nevojshme për t`u ndryshuar janë 12 ligje. Pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre është shumë e vështirë të arrihet deri të përmirësimi i ambientit biznesor në Kosovë.

Edhe pse zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se janë duke punuar në drejtim të krijimit të kushteve sa më të favorshme për t`u zhvilluar bizneset në Kosovë, komuniteti i biznesit edhe më tutje po ballafaqohet me shume vështirësi, të cilat po ndikojnë në zhvillimin e mirëfilltë ekonomik, shkruan Express.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht të Agjencisë për Promovimin e Investimeve thonë se ndër angazhimet kryesore në agjendën e këtij viti kanë krijimin e një ambienti më të mirë biznesor, sidomos bazuar në raportin e Bankës Botërore “Doing Business” të vitit 2010-2011, në të cilin Kosova nuk është ranguar në pozitë të kënaqshme.


Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të APIK-ut, Mustafë Hasani, thotë se Agjencia ka punuar me ekspertë ndërkombëtarë në evaluimin e ligjeve dhe dokumentacioneve të tjera të nevojshme, bazuar në pesë indikatorët e Bankës Botërore, në të cilat Kosova nuk është ranguar në pozitë të mirë. /Telegrafi/