LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore mbështet më të varfrit dhe përmirësimin e financimit të shëndetësisë

Banka Botërore mbështet më të varfrit dhe përmirësimin e financimit të shëndetësisë

Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore nënshkruan të hënën marrëveshjen e huasë mbi 'politikat zhvillimore për reformën në sektorin social' në shumën prej 25 milionë dollarësh. Në emër të qeverisë shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Ministri i Financave Ridvan Bode dhe në emër të Bankës Botërore, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës në Shqipëri Kseniya Lvovsky.

Huaja mbështet reformat që do ta ndihmojnë Shqipërinë të përmirësojë efektivitetin e rrjetit të mbrojtjes sociale dhe për të rritur efiçencën dhe barazinë e financimeve në sektorin e shëndetësisë.

“Në këta sektorë, është arritur progres në punën për t’iu afruar të varfërve, por nevojiten ndryshime të mëtejshme, të mbështetura nga ky operacion" tha Daniel Dulitzky, Menaxher i Sektorit dhe Drejtues i Projektit. "Në fushën e sistemit të mbrojtjes sociale, projekti synon të përmirësojë barazinë, efikasitetin, transparencën dhe efektivitetin e përdorimit të burimeve për uljen e varfërisë, ndërsa në sektorin e financimit të shëndetësisë objektivi i këtyre reformave është rritja e mundësisë së marrjes së shërbimit për grupet në pozita të cenueshme, përmirësimi i efikasitetit në ofrimin e shërbimit dhe rritja e transparencës në financimin e sektorit”, tha ai.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, falënderoi Bankën Botërore për angazhimin e saj në Shqipëri, në tërësinë e reformave që po ndërmerr qeveria dhe sidomos në fushën sociale, ku ekspertiza e kësaj Banke është edhe më evidente.


Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, duke ju referuar vizitës së saj të fundit në komunën e Bërzhitës, tha se “pata mundësinë të takohesha me përfitues të ndihmës ekonomike dhe kjo përvojë më rikonfirmoi rëndësinë e reformave në sektorin social. Për shembull, ndihma ekonomike i mundësonte një familjeje të varfër me gjashtë fëmijë, që të vazhdonte t’i dërgonte fëmijët në shkollë duke u dhënë atyre mundësinë për t’u bërë produktivë dhe anëtarë të integruar të shoqërisë.”

Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1991. Prej atëherë, janë mbështetur nga SHNZH-ja dhe BNRZH-ja 69 projekte, me një vlerë 1,4 miliard USD gjithsej, si edhe 10 projekte nga IFC-ja, me një vlerë 185 milion USD gjithsej./Telegrafi/