LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët ulin konsumin

Shqiptarët ulin konsumin

Në tre muajt e parë të vitit, importi i mallrave të konsumit u ul në sasi me 1.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas goditjes që mori nga kriza në fillim të vitit 2009, konsumi u rrit përkohësisht deri në fund të viti të kaluar duke pësuar serish rënie këtë fillim viti. Të dhënat tregojnë se rënia e konsumit ka ndodhur kryesisht mallrat bazë të jetesës, më saktësisht ushqimet.

Një ndër arsyet kryesore është rritja e çmimeve, e cila ka qenë e fortë këto tre vitet e fundit. Sipas të dhënave çmimet e ushqimeve janë rritur mesatarisht me 7-8 për qind në vit.

Por në raportin e fundit të politikës monetare, ekspertët e Bankës Qendrore listojnë një sërë arsyesh se pse shqiptarët po shpenzojnë më pak. Veç rritjes së çmimeve, disa prej tyre janë të lidhura me pakësimin e të ardhurave, por edhe me pasigurinë e rritur të qytetarëve, raporton Top Channel.

Një pjesë të mirë të konsumit, familjet e kanë financuar përmes dërgesave që u vinin nga të afërmit e tyre emigrant. Prej gati tre vitesh, dërgesat vazhdojnë të bien mesatarisht me 7 deri në 8 për qind në vit. Veç dërgesave edhe kredia konsumatore një tjetër burim financimi që vitet e fundit është përdorur gjerësisht nga familjet për të financuar blerjet dhe nevojat e tyre të përditshme ishte në tremujorin e katër të vitit të kaluar 1.4 për qind më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë.


Megjithatë tkurrja e të ardhurave, sipas Bankës shpjegon vetëm pjesërisht rënien e konsumit. Një tjetër arsye është ajo se konsumatorët kanë filluar të ndryshojnë sjelljen në kushtet e një pasigurie më të lartë ekonomike.

Banka thotë se familjet po preferojnë t’i depozitojnë të ardhurat e tyre më shumë se sa t’i shpenzojnë ato për konsum. Për vite me radhë rritja e kërkesës për konsum ka qenë e lartë dhe është cilësuar si gjeneratori i rritjes ekonomike të Shqipërisë. Kjo u konfirmua edhe në dy vitet e fundit, ku rënia e konsumit si pasojë e krizës përgjysmoi rritjen ekonomike. /Telegrafi/