LAJMI I FUNDIT:

Hapet panairi i drurit

Hapet panairi i drurit

Është hapur panairi i drurit i gjashti me radhë Natyra 2011, në të cilin prodhimet e tyre po i ekspozojnë mbi 60 kompani përpunuese të drurit nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila tha se sektori i drurit më tepër është mbuluar me importe se sa me eksporte. “Sektori i drurit është një sektor i prekur mjaft dhe i cili më tepër është mbuluar më shumë me importet sesa me eksporte, sesa me produktet kosovare që zënë vend në tregun e Kosovës”, theksoi Kusari-Lila.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar në mënyrë shumë të përkushtuar për rritjen e efektshmërisë, reduktimin e barrierave dhe burokracisë për rritjen e produktivitetit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu, theksoi se panairi është një mundësi e mirë që vendi të përmirësojë imazhin dhe të tërheqë sa më shumë investitorë. “Kosova ka nevojë për të përmirësuar vlerat dhe imazhin e vet, dhe paralel të ndikojmë në përmirësimin e ambientit për tërheqjen e investimeve dhe investitorëve të huaj”, tha Gërxhaliu.


Drejtori i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Hashim Deshishku, tha se në vitin 2011 po vazhdojmë t’i intensifikojmë bashkëpunimet e ngushta me partnerët e ri, Federatën evropiane të prodhuesve të mobileve, të gjitha aktivitetet e shoqatës i adresohen prodhuesve kosovarë, duke kontribuar që sado pak të jemi afër njerëzve më të çmuar që ka shoqëria. Panairi është duke u mbajtur në zonën industriale në Prishtinë. /Telegrafi/