LAJMI I FUNDIT:

Dogana me shkelje si zakonisht

Dogana me shkelje si zakonisht

Pavarësisht se arritën planin duke mbledhur afër 700 milionë euro dhe e realizuan mirë buxhetin, Doganat e Kosovës nuk e kaluan vitin 2010 pa shkelje. Sipas Auditorit, shkelje janë vërejtur sa i përket kontrollit të procedurave doganore, në prokurim dhe menaxhimin e financave. Madje, janë identifikuar edhe disa raste kur akciza dhe dogana nuk ishin paguar si duhet.

Doganat e Kosovës, nga Auditori i Përgjithshëm, kanë marrë notë pozitive në mbledhjen e të hyrave dhe realizimin e buxhetit, por jo edhe për mënyrën se si janë zbatuar procedurat. Për vitin 2010, Doganat mblodhën afër 700 milionë euro, prej 702 milionë sa ishin planifikuar.

Në disa raste, ZAP-i ka gjetur se si akciza dhe dogana nuk ishin paguar si duhet. Në rastin e parë, sipas raportit, nuk është paguar detyrimi doganor në vlerë 6,682 euro, kurse në rastin tjetër është nën paguar për 674 euro, shtuna Express.

Për ketë, Auditori ka zhvilluar një varg testesh të 100 Dokumenteve Unike Doganore. Në fund, rezultati nuk ka qenë edhe aq i mirë.


“Në tri raste, kodi tarifor përdoret “të tjera” në vend që të caktohet një kod i saktë dhe adekuat tarifor”, thuhet në raport. Është vërejtur, po ashtu, edhe një rast tjetër, kur përshkrimi i llojit të mallit nuk është i njëjtë me kodin tarifor në Dokumentet Unike Doganore.

Bazuar në këto gjetje, ZAP-i konstaton se kontrolli në zbatimin e procedurave doganore ende nuk është plotësisht efikas. Dobësitë janë vërejtur posaçërisht në vlerësimin e mallit. “Sistemi i kontrollit nuk është i orientuar sa duhet në zbatimin e plotësimit të dokumentacionit, siç kërkohet me UA 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave”, konstaton ZAP-i. /Telegrafi/