LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, ku shkuan 500 milionë eurot e Konferencës së Donatorëve

Maqedoni, ku shkuan 500 milionë eurot e Konferencës së Donatorëve

Dhjetë vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Maqedoni dhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme janë nxitur debatet dhe pikëpyetjet se ku shkuan miliona eurot për revitalizimin e rajoneve të krizës dhe projektet e tjera për rikthim dhe zhvillim.

Mungesa e investimeve, mospërkrahja dhe zhvillimi ekonomiko-social, revitalizimi i improvizuar dhe papunësia e skajshme kërkojnë shpjegime dhe revizion se ku shkuan fondet e BE-së, SHBA-ve dhe vendeve tjera nga Konferenca Donatore e marsit të vitit 2002, për rajonet e krizës që dolën nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni.

Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milionë euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milionë euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milionë ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrastirave të buxhetit, 85 milionë euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit shkruan Ina.

Qeveria e Maqedonisë atëherë në kërkesën e saj kishte kërkuar vetëm 50 milionë euro për revitalizim dhe rindërtim, ndërsa 24.5 milionë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo BE dhe SHBA-të dyfishuan buxhetin për këto dy çështje. Përveç kësaj, në Konferencën Donatore mbi 271 milionë euro u siguruan për mbështetjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të komunave, kryesisht të dëmtuara nga konflikti.


Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni edhe dhjet vite më pas, por edhe zyrat e evroperëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre fondeve, sidomos 85 milionë euro për revitalizimin dhe rindërtimin e zonave, 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit si dhe 271 milionë euro për zhvillimin dhe revitalizimin ekonomik rajonal në Maqedoni, por që ishin paraparë me theks të veçantë zonat e goditura, ndër të cilat komuna e Likovës, e rrënuar në përmasa të mëdha, Haraçina, dhe vendbanime të rajonit të Pollogut që u përfshin drejtpërdrejt në konfliktin e vitit 2001. /Telegrafi/