LAJMI I FUNDIT:

Topi nënshkruan ligjin për faljen fiskale

Topi nënshkruan ligjin për faljen fiskale

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka dekretuar të premten ligjin për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor. Falja e borxhit tatimor dhe doganor për bizneset do të nisë zbatimin, pasi Ministria e Financave të ketë gati aktet nënligjore, udhëzimet përkatëse dhe formularët që duhen plotësuar.

Nëse opozita të kishte dhënë konsensusin dhe do të kishte votuar, ligji do të përfshinte dhe amnistinë penale për disa kundravajtje penale që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat. Si dhe një sërë çështjesh që sot janë në ndjekje dhe gjykim nga prokuroria apo sistemi gjyqësor për fshehjen e taksave, të klasifikuara si kundravajtje penale.

Ndërkohë ligji për faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor përfshin legalizimin e kapitalit të qytetarëve dhe personave fizikë, rivleresimin e aseteve të qytetarëve dhe të bizneseve, vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore për periudhat e mëparshme për të gjithë komunitetin e biznesit.

Faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore për qytetarët dhe për bizneset, përfshi dhe gjobat për makinat dhe faljen e faturave të papaguara të energjisë elektrike dhe të ujësjellësave deri në momentin që këto shërbime janë ofruar nga kompani në pronësi të qeverisë. /Telegrafi/