LAJMI I FUNDIT:

Vetëm 76 mijë bujtje në hotele

Vetëm 76 mijë bujtje në hotele

Ende nuk mund të thuhet se Kosova ka turizëm dhe turistë. Madje, ajo nuk gjendet as në fazën fillestare për zhvillimin kësaj dege. Ky konstatim del i qartë nga një raport i Entit të Statistikave të Kosovës për hotelerinë dhe turizmin , i publikuar në fund të prillit. Sipas të dhënave të këtij enti, interesimi i vizitorëve për Kosovën është në rënie.

Në total, vjet ishin evidentuar 79.044 vizitorë, prej të cilëve vetëm 34.382 ishin të jashtëm. Sipas kritereve të ESK-së vizitorë cilësohet edhe kosovari që së paku një natë e kalon jashtë vendbanimit të tij të përhershëm.

Që të gjithë këta vizitorë në Kosovë kishin 121.519 net qëndrim, ndër të cilat 76.394 ishin të mysafirëve nga jashtë. Marrë në tërësi, vizitorët nga jashtë mesatarisht këtu kaluan 2,2 net, ndërsa ata vendor vetëm një natë ishin jashtë vendbanimit.
Se interesimi është në rënie ilustron fakti se numri i vizitorëve vjet ishte 11 për qind më i vogël se në vitin 2009, ndërsa i netët e kaluara në Kosovë kishin rënien 7 për qind.
Sërish për nga numri vizitorëve prinë Prishtina. Më shuam për shkak të statusit të saj si qendër administrative, kulturore e biznesore, se sa për ndonjë atraktivitet turistik. Aty vjet qëndron 35.671 vizitorë, krahasuar me 40.168 sa kishte një vit më parë. Ata në këtë qytet kaluan 67.7 mijë net, apo gati 57 për qind të bujtjeve të realizuara në tërë Kosovën.

Ndërkaq, i dyti në këtë listë është Lipjani me 10.024 vizitorë. Por, karakteristikë e kësaj komune është fakti se në hotelet e kësaj komune askush nuk kalon më shumë se një natë, pasi që edhe numri i bujtjeve është krejtësisht i barabartë me numrin e vizitorëve. Gjendje e njëjtë ishte edhe në vitin 2009, raporton Qendra.


Duket se këtu më të frekuentuara janë hotelet buzë magjistraleve, kur zakonisht gjejnë strehim ata që i zë nata në rrugë. Në listë vazhdon Ferizaj me 6.528 vizitorë, të cilët këtu kaluan 7.242 net. Ndërkaq, në Prizren vizitorët qëndrojnë më gjatë se në qytetet e tjera të Kosovës. Atje 3.498 vizitorë qëndruan plot 7.995 net, apo mesatarisht secili prej tyre këtu kishte nga 2.3 bujtje.

Edhe më tutje numri më i madh i vizitorëve vjen nga Shqipëria – gjithsej 4.152 veta, të cilët pasi kaluan një natë në Kosovë u larguan prej saj. Mirëpo, më së gjati këtu qëndrojnë gjermanët, meqenëse nga gati 3 mijë vizitorë sa ishin vjet, këtu bënë 8.413 bujtje. Më tej janë 1.867 amerikanë me gati pesë mijë net të kaluar në Kosovë, pastaj 2.184 shtetas të Turqisë për të cilët kosovarët ishin nikoqir për gati 6 mijë net.

Sa i përket numrit të vizitorëve nuk ka qenë pa ndikim edhe kapacitete hoteliere që kanë qytetet. Në përgjithësi, sipas ESK-së, Kosova ka 163 hotele të licencuara me 2.464 dhoma gjumi. Prej tyre, 141 janë apartamente dhe 17 rezidenca. Sërish e para është Prishtina me 30 hotele që kanë 731 shtretër, pastaj Ferizaj- 18 hotele me 265 shtretër, Prizreni – 15 hotele që mund të akomodojnë 197 mysafirë, Lipjani- 13 hotele me 159 shtretër, etj. /Telegrafi/