LAJMI I FUNDIT:

KEK-u largon hajnat

KEK-u largon hajnat

Përveç qytetarëve të rëndomtë, të cilët keqpërdorin energjinë elektrike, keq nuk e lënë as punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ky keqpërdorim i rrymës dhe vjedhjet të cilat i kanë bërë ata brenda ndërmarrjes, për disa punëtorë të KEK-ut ka qenë me pasoja, pasi që ata kanë humbur vendet e punës. Vetëm më 2010 kanë qenë 26 raste të tilla.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala tha për Telegrafin se rastet e keqpërdorimit të pronës nga ana e të punësuarve në korporatë nuk janë të pakta. Sipas tij, KEK-u në vazhdimësi merr masa ndaj “hajnave”.

“Për vitin 2010 kemi 33 raste te të punëmarrësve që kanë keqpërdorur energjinë elektrike dhe që janë larguar nga puna”, theksoi ai.

Pavarësisht marrjes së masave gjatë vitit të kaluar, edhe sivjet, sipas Buzhalës, ka raste ku punëtorët bëjnë keqpërdorime të ndryshme.


“Për periudhën kohore nga 1 janari i këtij viti e deri më 26 prill, gjithsej janë tri raste të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punëtorëve për shkak të keqpërdorimit të energjisë elektrike”, ka treguar zëdhënësi i KEK-ut.

Nagip Skënderi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës (UP), tha për Telegrafin se çdo luftim i keqpërdorimeve nga e ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm. Sipas tij, vjedhjet tek firmat publike si dhe ato me karakterit shtetëror janë me se të përhapura, “sepse ata nisen nga parimi ‘udhëheqja e ndërmarrjes po vjedh, pse mos te vjedhim edhe ne’.

“Konsideroj se duhet luftuar çdo keqpërdorim apo vjedhje të cilës natyre qoftë, sepse nga vjedhjet e vogla shkohet ne vjedhje të mëdha. Por, nëse vjedhjet do të luftoheshin në të gjitha nivelet, kjo do të ishte me se në rregull, e jo të luftohen vetëm vjedhjet e karakterit të inkasantëve”, është shprehur profesori Skënderi.

Punëtorë të KEK-ut kanë treguar në kushte anonimiteti për Telegrafin se ka raste kur vjedhjet në KEK bëhen në pikë të ditës pa i penguar as kush, madje edhe para syve të sigurimit. /Telegrafi/