LAJMI I FUNDIT:

Kosovës i duhet një sistem unik juridik

Kosovës i duhet një sistem unik juridik

Kosova ka nevojë për një sistem unik juridik, në mënyrë që të evitohen dualizmat, sikur që është rasti në mes Odës së Veçantë dhe Agjencisë Kosovare të Privatizmit. Nëse nuk do të ketë vonesa politike, ligjet e reja do të miratohen brenda 2-3 muajsh.

Dualizmi në mes të Dhomës së Veçantë dhe Agjencisë Kosovare të Privatizmit po shkakton vonesa si në privatizim ashtu edhe në shpërndarjen e 20 përqindëshit. Pasi Dhoma e Veçantë nuk po e njeh AKP që e ka vazhduar procesin e privatizimit pas shpalljes së pavarësisë, ekspertë dhe përfaqësues të subjekteve politike e vlerësojnë si shumë të nevojshëm miratimin e ligjeve të reja nga Kuvendi, raporton RTK.

Eksperti ligjor Haxhi Gashi, në një konferencë të organizuar nga instituti GAP, vlerëson se Kosova ka nevojë për një sistem unik juridik. “Në këtë aspekt, konsideroj se rregulloret e UNMIK-ut duhet të ndryshohen me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe organet gjyqësore duhet t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Kemi konstatuar se ka dualizëm dhe konflikt ligjor, i cili duhet të ndryshohet”, tha Gashi.

Megjithëkëtë, anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Shala, nuk shprehet shumë optimiste se ligjet do të miratohen shpejt.
“Droja ime është se dihet se Komisionet Parlamentare e kanë një përbërje të përfaqësimit të grupeve parlamentare politike dhe nuk jam shumë optimiste se do ta zhvillojmë një dinamikë të duhur të ecjes së këtyre projekt-ligjeve për shkak të pozicionimeve ose ngurtësisë politike që e kanë deputetët e caktuar në Komision, në këtë rast nga radhët e opozitës”, tha Shala. Vetëm nëse nuk do të ketë pengesa në Komision, Shala vlerëson se ligjet do të miratohen nga Kuvendi deri në fillim të korrikut.


Ndryshe, edhe zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri, e sheh si problem Odën e Veçantë dhe kërkon tejkalim të shpejtë të kësaj situate konfuze. /Telegrafi/