LAJMI I FUNDIT:

Kosova brenda një viti humb 500 hektarë tokë

Kosova brenda një viti humb 500 hektarë tokë

Rreth 500 hektarë tokë bujqësore, sipas Ministrisë së Bujqësisë, po humbin në vit nga ndërtimet vend e pa vend. Mbi 30 mijë hektarë janë lënë djerrinë. Por, sindikalistët thonë se gjendja në terren është edhe më e keqe. Sipas tyre, fondi i tokës punuese është duke u zvogëluar mesatarisht 1000 hektarë në vit.

Si pasojë e ndërtimeve vend e pa vend, fondi i tokës bujqësore në Kosovë po zvogëlohet mesatarisht 1000 hektarë në vit.

Nga 577 mijë hektarë tokë bujqësore sa llogaritet t’i ketë Kosova, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, rreth 350 mijë hektarë janë tokë e punueshme, prej të cilave mbi 30 mijë hektarë janë lënë djerrinë, shkruan Express.

Megjithatë, të dhënat që japin në Ministrinë e Bujqësisë për tkurrjen e tokës bujqësore janë përgjysmë më pak se ato që japin sindikalistet bujqësorë. Të dyja pranojnë se të dhënat mund të mos jenë krejt të sigurta.


“Vetëm brenda një viti humbin nga 400-500 hektarë e tokës bujqësore”, ka thënë Adil Behramaj, zyrtar i lartë për informim në Ministrinë e Bujqësisë.

Aktualisht Ministria e Bujqësisë është duke e financuar edhe një projekt për konsolidimin e tokave dhe deri më tash ky projekt ka përfunduar në 15 zona kadastrale. /Telegrafi/