LAJMI I FUNDIT:

Euro nuk ndalet

Euro nuk ndalet

Monedha e përbashkët evropiane euro nuk po di të ndalet në rrugën e vlerësimit të saj. Në tregun e këmbimit valutor, si në atë të hapur ashtu dhe në atë zyrtar, euro ka fituar ditë pas ditë e javë pas jave vlerë.

Që prej janarit të këtij viti, që është një prej krahasimeve më të shkurtra në kohë, euro ka arritur të fitojë me rreth tre lekë vlerë. Në ditët e para të janarit të këtij vitit, një euro këmbehej me kursin e Bankës së Shqipërisë me 138 lekë e 70 qindarka, ndërsa këtë të hënë kursi ishte 141 lekë e 42 qindarka.

Vetëm gjatë këtij muaji euro ka fituar rreth një lek në vlerën e saj. Edhe pse me një rritje të ngadaltë, monedha evropiane nuk e ka ndryshuar tendencën që prej disa muajsh.

Në muajt e fundit, vlera më e ulët e euros ka qenë në korrikun e 2010-ës kur këmbehej me 134 lekë e 86 qindarka. Që prej atëherë tendenca ka qenë gjithnjë në rritje. /Telegrafi/