LAJMI I FUNDIT:

Premtohet mbështetje në sektorin e bujqësisë

Premtohet mbështetje në sektorin e bujqësisë

Autoritetet vendore do të mbështesin më shumë zhvillimin e bujqësisë, pasi e vlerësojnë atë si sektor potencial për hapjen e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike.

Ky sektor është radhitur ndër prioritetet e qeverisë edhe me planin e zhvillimit ekonomik, thotë ministri i bujqësisë, Blerand Stavileci. “Në këtë drejtim kemi vendosur që në kuadër të kornizës afatmesme të shpenzimeve, për tri vitet e ardhshme por edhe në afat më të gjatë për ministrinë e bujqësisë të ndahen 3 për qind të buxhetit të përgjithshëm të vendit”, tha Stavileci për Radio Kosovën.

Sipas tij, objektiv do të jetë në rritjen e aftësisë konkurruese të fermave dhe agrobizneseve dhe ristrukturimin e potencialit të tyre.

Po ashtu synohet forcimi i zinxhirit hulumtues për këtë sektor, investime kapitale në sistemin e ujitjes, dhe ndërtimin e qendrave grumbulluese ruajtëse për produktet bujqësore. “Orientimin e mbështetjes së sektorëve e kemi në tre sektorët strategjikë, sektorin e blegtorisë, të drithërave dhe sektorin e hortikulturës dhe nënsektorët e tyre”, tha Stavileci.


Njohësit e çështjeve bujqësore e konsiderojnë lajm të mirë rritjen e buxhetit për këtë sferë për vitet e ardhshme nga 13.7 milionë sa është këtë vit. Mustafë Pllana, profesor në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës tha se rritja e buxhetit krijon mundësi më tepër që të realizohen objektivat e qeverisë. Por problemi më i madh te bujqësia është se duhet ta zhvillojë industrinë përpunuese, ku krijohet akumulim, vlerë e shtuar por edhe punësim.

Pllana thotë se institucionet duhet të orientohen në zhvillimin e prodhimtarisë vendore dhe zëvendësimin e importit. Njëkohësisht thekson se me uljen e kostos, mund të arrihet rritja e prodhimit, prandaj institucionet duhet të angazhohen edhe në gjetjen e tregjeve të huaja për t’i plasuar ato prodhime. /Telegrafi/