LAJMI I FUNDIT:

35 milionë euro investime në Parkun e Biznesit në Drenas

35 milionë euro investime në Parkun e Biznesit në Drenas

Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari –Lila të premten me bashkëpunëtorë vizitoi Parkun e Biznesit në Drenas, me ç'rast u njoh me punët e filluar nga bizneset në këtë park.

Ministrja, Mimoza Kusari-Lila gjatë vizitës në Parkun e Biznesit, u interesua rreth aktiviteteve qe janë ndërmarrë deri me tani nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht nga Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ku u njoftua edhe nga vetë afaristet për punët që janë duke bërë.

Ministrja Kusari Lila ka thënë së parku do të luajë rol të rëndësishëm në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për kokë të banorit. "Në këtë park do të zhvillojnë biznesin e tyre mbi 40 kompani të profileve të ndryshme që kanë fituar parcela, të cilat do të investojnë mbi 35 milionë euro dhe do të hapen vende te shumta pune", ka theksuar Kusari- Lila.

Parku i Biznesit në Drenas ka një sipërfaqe prej 24 hektarë dhe është pjesë e një zone të ardhshme industriale, me mbi 130 hektar. /Telegrafi/