LAJMI I FUNDIT:

Gani Gërguri guvernator i BQK-së

Gani Gërguri guvernator i  BQK-së

Me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gani Gërguri është zgjedhur guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për pjesën e mbetur të mandatit. Konkurrent për këtë pozitë kishte profesorin e ekonomisë, Safet Merovci.

Gërguri ka marrë 58 vota për të udhëhequr me BQK-në, përderisa Merovci ka marrë vetëm 15. Në votim kanë marrë pjesë 99 deputetë, ndërsa 26 vota kanë dalë të pavlefshme.

Në votim me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë pjesë të gjitha grupet parlamentare.

Gërguri ka qenë zëvendësguvernator i BQK-së, pastaj ka ushtruar për një kohë edhe detyrën e guvernatorit. Zgjedhja e tij u është rekomanduar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me anë të një letre edhe nga shefi i ICO-së, Pieter Feith. Guvernatori i zgjedhur do të emërohet për pjesën e mbetur të mandatit të mbetur nga ish-guvernatori Hashim Rexhepi, i cili ishte arrestuar dhe shkarkuar më pas.


Zgjedhjen e guvernatorit e nënshkruan presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. /Telegrafi/