LAJMI I FUNDIT:

ATK mbyllë 126 subjekte të lojërave të fatit

ATK mbyllë 126 subjekte të lojërave të fatit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përkatësisht Drejtorati i Lojërave të Fatit me asistim të Policisë së Kosovës-Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Inspektoriatit Komunal, prej nga fillimi i marsit e deri ka mesi i këtij muaji, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit në Komunën e Gjakovës, Klinës, si dhe regjionet e Prizrenit e Gjilanit.

Një aksion i tillë është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi në mes ATK-së, Policisë dhe Inspektoriatit Komunal me të vetmin qëllim, zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.

“Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 126 njësive të Lojërave të Fatit, në Komunën e Gjakovës, Klinës, si dhe regjionet e Prizrenit dhe Gjilanit, të cilat janë ndëshkuar në vlerë 56.875 euro si rezultat i mosrespektimit të ligjit”, ka njoftuar ATK-ja nëpërmjet një komunikate për media.

Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, Policisë dhe Inspektoriatit Komunal, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/