LAJMI I FUNDIT:

Avullohen aksionet e PTK-së në Shqipëri

Avullohen aksionet e PTK-së në Shqipëri

Postë Telekomi i Kosovës (PTK) nuk i ka më 30 për qind të aksioneve në operatorin Plus në Shqipëri, ashtu siç ishte proklamuar më herët nga zyrtarët qeveritarë dhe drejtuesit e PTK-së. Muaj më parë PTK-së i janë kthyer 2.3 milionë euro të paguara në emër të licencës në Shqipëri, me ç’rast aksionet e kësaj kompanie publike në operatorin Plus janë zvogëluar nga 30 në 3 për qind.

Në fakt, pjesëmarrja e Postë Telekomit të Kosovës në tenderin për licencën e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri ka nisur qysh në fillim me dallavere. Në atë kohë ishte thënë se PTK-ja do t’i ketë 30 për qind të aksioneve në operatorin Plus, ku do ta ketë kontrollin e plotë në paketën e aksioneve pa e paguar asnjë euro, përderisa një përqindje e tillë e aksioneve i sigurohet vetëm në emër të përvojës teknike (know-how).

Këtë e kishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, sipas të cilit, pjesëmarrja e PTK-së në tenderin e shpallur në Shqipëri vetëm sa ia rrit vlerën kompanisë publike, pasi që i siguron 30 për qind të aksioneve atje.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri” brenda PTK-së, muaj më parë kësaj të fundit i janë kthyer 2.3 milionët e paguara ne emër të licencës në Plus, nga rreth 7 milionë euro sa është paguar licenca, përderisa mjetet tjera prej më pak se 5 milionë euro i kishin paguar aksionarët tjerë.


Edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, ka konfirmuar për “Zërin” se PTK-së i janë kthyer 2.3 milionë eurot e paguara në emër të licencës. Sipas tij, marrëveshja fillestare e PTK-së me aksionarët tjerë në operatorin “Plus” ka qenë që kompania publike t’i japë këto mjete, të cilat më pas do t’i kthehen.

Mirëpo, tashmë PTK në operatorin Plus ka vetëm 3 për qind të aksioneve e jo 30 për qind, sa ishte thënë fillimisht. “Mjetet na janë kthyer, ndërsa ne i kemi ruajtur 3 për qind të aksioneve. Me rritjen e investimeve në operatorin Plus automatikisht rritet edhe vlera e aksioneve tona atje”, është shprehur Gjonbalaj. /Telegrafi/